Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka qenë e ftuar sonte në emisionin “Prive”.
Në atë intervistë, ajo rrëfeu një histori prekëse nga jeta e saj, që është humbja e nënës kur në moshë të re.
Musliu tha se humbi nënën më 15 dhjetor 1980 dhe kishte qenë vetëm një vjet e gjysmë, ndërsa e ka vetëm një fotografi të saj si kujtim.
“Nuk i mbaj mend kujtimet, por data është datë që më shoqëron gjatë gjithë jetës, më ka shoqëru gjatë gjithë jetës dhe e ka determinu rrugën time jetësore. Arsyeja pse e kam zgjedh këtë datë, jo t’i mërzis shikuesit, ngase është kohë pandemie dhe njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë gjëra të mira, megjithatë kam dashtë që të jap një mesazh për të gjithë ata fëmijë, ato vajza që i humbin nanat e tyre, që duhet të gjejnë forcë, kurajo dhe të punojnë shumë dhe të vazhdojnë qëllimet e tyre jetësore. Në fund të fundit, unë besoj që ajo do të duhej të ishte dëshira e çdo nëne që kalon në amshim, për fëmijën e vet, që me punë, me sakrificë t’i arrijë idealet e tyre jetësore”, deklaroi deputetja.
Ajo shtoi se është rritur nga motrat e saj, por gjithmonë ka mbetur një boshllëk në jetën e saj.
“Unë jam rritë nga motrat e mia dhe kuptohet, në përkujdesjen e babait dhe vëllait, por megjithatë them edhe një herë që është një boshllëk që asnjëherë nuk është plotësuar. Një boshllëk që edhe sot e asaj dite nuk është plotësu, megjithatë jemi mundu që dëshirën e saj ta përmbushim me punë, me dinjitet, me ideal, ashtu siç ajo ka qenë. Sepse unë një kohë ndoshta nga trauma që kam pësu nuk kam dashur të dëgjoj shumë, por me kalimin e kohës, kur kam fillu ta bëj një moshë, kam fillu të dëgjoj për karakterin e saj dhe jam mundu të jem një fëmijë sikur ajo e ka dashtë. Nëse deri diku kam arrit t’ia realizoj ëndrrën e saj, jam krenare”, përfundoi Musliu.