Komuna në Drenas ka vendosur ti vë drynin Zyrës së Punësimit në Drenas, pasi sipas tyre Inspektorati Komunal ka gjetur se s’po respektohen masat e përcaktuara në lidhje me pandeminë COVID-19.
“Në zbatim të vendimeve të MSh-së dhe IKSHP-së dhe pas ankesave të qytetarëve për grumbullim pranë Zyrës së Punësimit, Inspektorët e Drejtorisë së Inspekcionit kanë inspektuar objektin dhe kanë vërejtur që nuk po zbatohen masat mbrojtëse ndaj virusit COVID-19, duke përfshirë dezinfektimin dhe masat e reja. Prandaj, duke u thirrur në ruajtje të shëndetit publik, dhe masave të vendosura nga niveli qendror dhe në përputhje me rekomandimet e IKSHP-së, kanë marrë masa për mbylljen e saj”, kanë thënë për IndeksOnline nga Komuna e Drenasit.
Ndërkaq, nga Zyra e Punësimit në Drenas thonë të kundërtën. Ata pohojnë se masat kanë qenë duke u zbatuar dhe se Zyra nuk ka punuar me palë mirëpo ka pranuar aplikacione vetëm nga dera e jashtme.
“Këto ditë ka filluar aplikimi për masën 15 të Pakos Emergjente dhe shumë qytetarë i janë drejtuar Zyrës së Punësimit për tu regjistruar si punëkërkues. Familjet që s’kanë asnjë të punësuar dhe nuk përfitojnë asnjë ndihmë nga Buxheti i shtetit i Republikës së Kosovës mund të përfitojnë nga 130 euro asistencë. Shumë qytetarë nuk kanë njohuri si të aplikojnë online dhe vendimi për ta mbyllë Zyrën e Punësimit nga ana e Komunës është e padrejtë si dhe u pamundëson shumë qytetarëve me kushte të rënduara sociale të përfitojnë këtë ndihmë në këtë kohë të vështirë pandemie”, thonë nga Zyra e Punësimit në Drenas.
Ndryshe, Zyrat e Punësimit në Republikën e Kosovës funksionojnë nën ombrellë të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës dhe janë kompetencë e nivelit qendror./IndeksOnline/