Vdekja e hershme e Triumf Feratit, vëllait të kryetarit të komunës së Istogut, Ilir Feratit ka tronditur vendin. Familja Ferati ka marrë ngushëllime nga shumë figura e personalitete.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca është shprehur i pikëlluar pas lajmit të vdekjes së djalit të të ndjerit, Fadil Feratit.
Konjufca tha se ky lajm është i trishtë dhe i dhimbshëm për familjen e të ndjerit, për shoqërinë, dhe për qytetin e Istogut dhe Kosovën.
“Thellësisht i pikëlluar për ikjen shumë të hershme të Triumf Feratit, djalit të Fadil Feratit, ish-kryetarit të komunës së Istogut e po ashtu vëllai i kryetarit aktual të Komunës së Istogut, Ilir Ferati. Ky është lajm i trishtë dhe i dhimbshëm për familjen, për shoqërinë, dhe për qytetin e Istogut dhe Kosovën”, shkruan Konjufca në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Më tutje kryetari i Kuvendit shprehu ngushëllimet ndaj familjes Ferati dhe shoqërisë së të ndjerit.
“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ferati, shoqërinë dhe të gjithë që e njohën Triumfin. Në këto momente, ndajmë dhimbjen me familjen Ferati”.