fbpx

Konjufca për gati 100 mijë herë më shumë para në banka se Kurti e Osmani

nga Revista Kosovarja

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2024.

Konjufca ka deklaruar se pasuri të paluajtshme posedon në vlerë prej 310 mijë e 773 euro, ku vlerën më të madhe të kësaj pasurie e kanë dy banesa, njëra në emër të tij për të cilën ka deklaruar se e ka blerë në vitin 2018, e që ka sipërfaqe prej 99.41 metra katrorë, vlera e së cilës është 60 mijë e 793 euro, dhe banesa në emër të prindit të tij, në sipërfaqe prej 115 metra katrorë në vlerë prej 92 mijë euro, e blerë në vitin 2008.

Kreu i kuvendit e ka deklaruar edhe një banesë tjetër, e cila po ashtu është në emër të prindit të tij, që ka sipërfaqe prej 59 metra katrorë, e blerë në vitin 2021 në shumë prej 44 mijë euro.

Ai ka deklaruar se ka edhe tokë në emër të prindit të tij, e për të cilën ka thënë se është e trashëguar, në sipërfaqe prej afro 90 ari me vlerë prej 62 mijë e 480 euro.

Konjufca më tej tha se posedon edhe një shtëpi në emër të prindit të tij me sipërfaqe prej 130 metrash katrorë në vlerë prej 45 mijë eurosh, të ndërtuar në vitin 2013 me kredi e kursime, e po ashtu edhe një depo afro 4 metra katrorë, të blerë në vitin 2017 në vlerë 500 euro dhe një parking, të blerë në vitin 2017 në shumë 6 mijë euro.

Ndërsa, nga krerët e shtetit, Konjufca del që ka më shumti para në banka, plot 101 mijë e 815 euro.

Ai tha se në emër të tij, në bankë, para të gatshme i ka 9 mijë e 100 euro, ndërsa ka deklaruar se në emër të prindit, nëpër xhirollogari bankare i ka 44 mijë e 825 euro, të cilat janë “kursime nga të ardhurat personale”, kurse 47 mijë e 884 euro, Konjufca i ka deklaruar si para të gatshme të prindit të tij, prejardhja e të cilave ka thënë se janë nga pagesa për shitjen e shtëpisë dhe të ardhurat nga pagesa e TRUST-it pensional.

I pari i kuvendit ka deklaruar po ashtu se e ka edhe një kredi në vlerë prej 61 mijë e 424 euro, të marrë në vitin 2019 për blerjen e banesës, ndërsa ka thënë se vlera e mbetur e saj është 33 mijë e 607 euro, ndërsa ka deklaruar se për Lëvizjen Vetëvendosje, më 1 dhjetor të vitit të kaluar ka dhënë donacion 2 mijë euro.

Kurse, pagë neto nga kuvendi ka deklaruar se ka marrë 27 mijë e 55 euro, ndërsa meditje nga udhëtimi zyrtar jashtë vendit, Konjufca tha se ka marrë 3 mijë e 589 euro.

Konjufca po ashtu ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka marrë pagë në Universitetin e Prishtinës në vlerë prej 1 mijë e 504 euro, ndërsa ajo, sipas tij, ishte edhe përfituese e masës 3.5 dhe 3.6 të Qeverisë, ku nga to mori 340 euro.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]