Kosova edhe zyrtarisht është anëtarësuar në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (Open Government Partnership), një iniciativë shumëpalëshe që synon të sigurojë angazhime konkrete nga qeveritë kombëtare dhe nënkombëtare për të promovuar qeverisjen e hapur, fuqizimin e qytetarëve dhe luftimin e korrupsionit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Me kënaqësi ndaj lajmin se Republika e Kosovës është bërë anëtarja më e re e Open Government Partnership. Ne i bashkohemi pjesës tjetër të vendeve demokratike të botës në një angazhim të përbashkët për një qeveri të hapur, të përgjegjshme dhe inovative dhe për të inkurajuar angazhimin e qytetarëve në politikëbërje” ka thënë Krasniqi në njoftimin e tij.
“I emocionuar të njoftoj se Kosova i është bashkuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur, një nismë ndërkombëtare që përfshin 76 qeveri kombëtare dhe 104 lokale dhe nxit transparencën, llogaridhënien dhe qasjet novatore për angazhimin publik” ka thënë Kurti.