Republika e Kosovës më nuk duhet ta kapërdijë presionin e Serbisë dhe të BE-së për t’u viktimizuar me krijimin e Asociacionit të Komunave, me epërsi të minoritetit serb në Kosovë, shkruan “Kosovarja”.
Në pyetjen: “A është shtet Kosova?”, përgjigjen e di më së miri Serbia.
Ajo, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, i bëri pyetje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Pyetja e saj ishte: “A kishte të drejtë Kosova të shpallte Pavarësinë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.
Përgjigja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte PO. Pra, shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.
Në atë kohë, pesëshja e BE-së, e që nuk e kishin njohur akoma pavarësinë e Kosovës, qenë shprehur publikisht se do e pranojnë Kosovën shtet, nëse GJND-ja del me konstatimin se Pavarësia e Kosovës është e drejtë.
Por, çka ndodhi? Pesëshja e BE-së nuk e ndërroi qëndrim, edhe pas konstatimit se Kosova ka pasur të drejtë ta shpallë pavarësinë.
Në anën tjetër, edhe Serbia, që nga ajo kohë, e ndërroi strategjinë e veprimit kundër Kosovës. Loboi me shtetet mike që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, edhe pse Kosova e Serbia veç kishin filluar me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, e që do rezultonin me njohje të ndërsjellë.
Dhe, strategjia e Beogradit dha rezultate për Serbinë, meqë disa shtete që e kishin njohur Kosovën filluan të tërhiqeshin!
Andaj, Kosova, në vend se ta shfrytëzonte vendimin e GJND-së për ta përforcuar pozitën diplomatike në botë, eci rikferc, duke u bërë si shtëpia e Nastradinit.
Nastradini e kishte ndërtuar një shtëpi me rrota. Kushdo që vinte ta vizitonte e lavdëronte shtëpinë. Mirëpo, secili i kishte edhe teket e tij, bie fjala, njëri i thoshte pse nuk e ka derën kah lindja e diellit, tjetri pse nuk e ke lënë derën e hyrjes kah jugu etj.
E, Nastradini, meqë e kishte shtëpinë mbi rrota, e sillte kah dëshironte gjithsecili…
Prandaj, meqë Kosova është shtet, pse duhet t’ia plotësojë dëshirën çdo kujt?!
Rrogën e merrnin në Kosovë, vikendin e kalonin në Beograd!
Paslufte, në Kosovë, u vendos misioni i UNMIK-ut, zëdhënësit e të cilit punon 5 ditë në Kosovë dhe vikendin e kalonin në Beograd!
E, pas kthimit të tyre nga Beogradi mësonim nga mediet për agjendat politike, kah do mbetej “Trepça” e procese të tjera për Kosovën.
Pra, ishte një mision spiunësh, që punonin për Beogradin. Konkretisht, merrnin rrogë në Kosovë, e spiunonin në Beograd!
Më pas u sollën kriteret e Kai Aides, që duhej t’i përmbushte Kosova, në mënyrë që të zbatohej projekti i Marti Ahtisarit, i cili pakicën serbe në Kosova do e rangonte në privilegjet numër një të shtetit të Kosovës.
Pastaj, u bë decentralizimi i pushtetit lokal, duke u formuar serbëve komuna të reja. Andaj, Kosova e pranoi modelin e Ahtisarit për qeverisje lokale për decentralizim deri në masën sa serbët nisën të trajtohen si viktima nga ndërkombëtarët.
Pastaj, në vitin 2013, u bë presion ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, me kusht që Gjykata Kushtetuese në Kosovë të vlerësonte nëse asociacioni e tejkalonte shtetin.
Dhe, kur doli se asociacioni e shkelte juridiksionin e shtetit të Kosovës, edhe nuk u formua. Por, Serbia asnjëherë nuk hoqi dorë nga themelimi…
Kosova, tutje, dha mijëra hektarë tokë për demarkacionin me Maqedoninë, e më pas edhe 8000 hektarë tokë në procesin e demarkacionit me Malin e Zi.
Më pastaj, erdhën marrëveshjet nga SHBA-ja që prekën liqenin e Ujmanit, për çka pritet fizibiliteti “ad hoc” që ta thotë fjalën e fundit.
Dhe, të gjitha këto kompromise të dhimbshme, u bënë në këmbim të liberalizimit të vizave, proces ky të cilin po e pengon Serbia nëpërmjet shteteve të BE-së, e që nuk e kanë njohur ende Kosovën.
E, po kjo BE, e që po e pengon Kosovën të lëvizë shlirë, ua ka hequr vizat të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, madje edhe shteteve baltike, që ishin në flakët e luftës, e që këto ditë po i tërheqin edhe ambasadorët e tyre.
Çka po i kushtëzohet tjetër Kosovës?
Kosovës tashmë po i kushtëzohet liberalizimi i vizave me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Dhe, nëse kjo ndodh, atëherë, de fakto, Kosova më nuk do të jetë shtet funksional siç është tash…
Andaj, Kosova asociacionin duhet ta shpallë të vdekur dhe ta heqë nga rendi i ditës, sepse decentralizmi veç ka ndodhur dhe janë formuar komunat me shumicë serbe.
Në anën tjetër, BE-ja, fatkeqësisht, po e ndihmon Serbinë ta rikolonizojë Kosovën, meqë Lagjja “Lugina e Diellit” është ndihmuar të ndërtohet nga financat e BE-së.
Prandaj, Kosova nuk ka më çka të humbasë më shumë, sepse çdo gjë që jep në të ardhmen, mund të bëhet si Bosnja, e cila, në vend se të ecë para, po ecë prapa.
Por, kur krejt këtyre proceseve në Kosovë u shtohet edhe misioni i EULEX-it, e që ka dështuar në tërësi, del se në Kosovë çka thonë të huajt edhe po bëhet…
Andaj, në kohën e sotme, kur Mirosllav Lajçak po mundohet t’i bindë institucionet dhe liderët politikë të Kosovës që ta formojnë asociacionin, duhet t’i thuhet JO!
Sepse, serbët e Kosovës i kanë të gjitha të drejtat brenda decentralizimit të pushtetit lokal dhe formimit të komunave serbe. Safet Krivaça /Kosovarja/