Organizimi i dasmave dhe ahengjeve të tjera familjare në Kosovë do të lejohet nga data 1 korrik.
Për shkak të pandemisë COVID-19 nuk ishte lejuar organizimi i dasmave dhe ahengjeve të tjera.
Kjo gjë kishte shkaktuar debat në publik, madje u organizua edhe një protestë para objektit të Qeverisë, ku morën pjesë pronarët e restoranteve dhe disa këngëtarë.
Megjithatë, mbrëmë u konfirmua se nga data 1 korrik është dhënë drita jeshile për të lejuar këto organizime, normalisht duke iu përmbajtur disa masave.
Por, në opinion u krijua ‘mjegull’ pasi në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thanë se një gjë e tillë ende nuk është lejuar.
I kontaktuar nga lajmi.net, Visar Demolli nga Shoqata e Hotelierisë dhe Turizmit, konfirmoi edhe një herë se vendimi për mbajtjen e dasmave është marrë.
“Dasmat janë leju jo 100 për qind, por 1 milion për qind, por vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe manuali që ma kanë kërku vet ministria, ka me dalë me datë 26. Me një fjalë qysh kanë me u mbajtë, kështu që me 26 del manuali se qysh kanë me punu restaurantet”, tha Demolli.
Ai tregoi se çfarë ka paraparë manuali që i është dërguar ministrisë për masat me të cilat do të organizohen këto ahengje.
“Me atë manual e kemi paraparë tunelin dezinfektues, dezinfektimet nëpër tavolina, para hyrjes, kamarierat me doreza pambuku dhe këto rend me rend”, shtoi ai.
Demolli tha se pas njoftimit për lejimin e dasmave, qytetarët kanë shprehur menjëherë interesimin për të bërë rezervimet në restorante.
“Mbi 20 dasma ma kanë konfirmu prej ditës së djeshme kur e kam qitë lajmin, i kanë pranu ofertat e reja, kontratat e reja. Ka fillu menjëherë interesimi. Në 20:20 ka dalë lajmi, menjëherë kanë fillu me ba rezervime të reja, ato që janë anulu tash po dojnë me ardhë me u kthy në normalitet”, deklaroi Demolli për lajmi.net.
I pyetur rreth asaj se a ekziston rreziku i infektimit edhe me këto masa, Visar Demolli tha se janë më të sigurt sesa shumë veprimtari të tjera.
“Ne e kemi tunelin dezinfektues, distancën nëpër tavolina, do të jenë të cerfitikuar personat që do të bëjnë deratizimin dhe dezinfektimin. Pra, dezinfektimin e objektit dhe deratizimi i produkteve të tjera”, përfundon Demolli. /Lajmi.net/