Vendimi i Qeverisë së Kosovës për mos ekzekutimin e pagave për muajin shtator për grevistët ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.
Deri sa nga SBASHK-u kanë paralajmëruar se mund të kthehen sërish në grevë për këtë çështje, edhe deputetë të partisë në pushtet kanë dalë kundër këtij vendimi.
Aktualisht, katër deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy deputetë të Listës Guxo janë shprehur publikisht kundër vendimit të Qeverisë, duke kërkuar kështu ekzekutimin e pagave për grevistët për muajin shtator.
Deputetët Fatmir Humolli, Eman Rrahmani, Alban Bajrami dhe Visar Korenica nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar që të ekzekutohen pagat për grevistët, ndërsa disa prej tyre kanë kërkuar që në anën tjetër të kompensohen edhe orët e humbura mësimore gjatë grevës.
Gjithashtu, nga Lista Guxo, kundër këtij vendimi të qeverisë kanë dalë edhe dy deputetë, Jeta Statovci e Haxhi Avdyli.
Çfarë ka rënë në sy gjatë këtij “debati” publik ka qenë heshtja e kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe presidentes Vjosa Osmani, të cilët nuk janë prononcuar fare rreth kësaj çështje.
Kjo nuk është hera e parë që Konjufca e Osmani nuk deklarohen as pro e as kundër rreth vendimeve të Qeverisë, duke lënë kështu hapësirë për dyshime nëse mbështesin vendimet e Qeverisë apo jo.
Kujtojmë se për çështjen e pagave ka folur edhe deputeti tjetër i VV-së, Haki Abazi, i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se uron që kjo çështje të zgjidhet deri të premten.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim të ri nga Qeveria.
Gjithashtu, vlen të theksohet se Avokati i Popullit ka reaguar rreth kësaj çështje për të cilën është shprehur se është duke e ndjekur me shqetësim dhe ka bërë thirrje tek qeveria që të respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut duke konstatuar se mosekzekutimi i pagave ndikon në mirëqenien sociale të mësimdhënësve.