Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, njihen që nga shekulli i kaluar dhe nuk kanë ndryshuar qëndrime.
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në manifestimin e BIK’ut kushtuar 70-vjetorit të themelimit të Medresesë së Mesme ‘Alauddin’ në Prishtinë.
Aty, Kurti e mbajti një fjalim, ku si fillim, tregoi se me myftiun e BIK’ut, Naim Tërnava, njihet që nga shekulli i kaluar.
“Me myftiun Naim Tërnava njihemi që nga shekulli i kaluar, për më shumë se një çerek-shekulli, nga koha kur medreseja Alaudinn ishte vendi i kuvendit, i kuvendit politik e kombëtar për rezistencë dhe për liri. Sot kur e shënojmë 70-vjetorin, përvjetorin jubilar të medresesë Alaudinn, edhe myftiu Naim Tërnava, edhe unë, jemi mplakur pak, shumë më pak sesa vitet që kanë kaluar prej atëherë”, tha ai.
Kryeministri Kurti i thuri pak lavde vetes dhe myftiut, duke thënë se të dy kanë qëndruar për të mirën e përgjithshme.
“Mirëpo pa dyshim se asnjë prej nesh nuk ka ndryshuar qëndrim për të mirën e përgjithshme, të shoqërisë e të kombit tonë, e gjithashtu nuk ka ndryshuar karakter të dashamirësisë për popullin të cilit duhet t’i shërbej pa rezervë e pa kursim”, tha ai.
Kurti në një pjesë të fjalimit e citoi edhe profetin e myslimanëve, Muhamedin, duke theksuar se shqiptarët ditën ta ruajnë islamin mes tyre.