Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë në Gjilan ku është takuar me kryetarin e kësaj komune për gjendjen me virusin COVID 19.
Kurti për çështjen e propozimit të mandatarit për formimin e qeverisë së re, tha se nuk kanë kohë të humbin me tema politike, e të shpërqëndrohen nga lufta me virusin.
“Nuk kemi kohë të humbim me çështjen e ping pongut politik, nuk mund të ketë temë tjetër kur s’mund të ketë prioritet tjetër. Jemi të angazhuar në luftimin e virusit dhe nëse e shpërqëndrojmë veten në cështje tjera do ta dobësojmë veten në frontin jetik të shëndetit publik”, tha ai, raporton GazetaBlic.
“U njoftum për së afërmi me të gjitha përgatitjet dhe masat parandaluese në nivelin lokal dhe ato që i referohen të gjitha komunave të Kosovës. Jemi të gatshëm, të interesuar, të përkushtuar që këtë lakoren e shpërndarjes së COVID 19 ta shtyjmë sa më shumë në kohë dhe ngritjen e saj ta bëjmë sa më të pakët që ta parandalojmë këtë pandemi që deri tash i mori jetën 3 qytetarëve. Organizimi ynë qendror e lokal është shembullor dhe këtë poe thonë edhe tjerët. Duhet ta vazhdojmë sidomos në muajin prill sepse është vendimtar që të dalim nga kjo krizë sa më shpejtë”.
E kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se në komunë është duke u menaxhuar situata mirë.
“Me 15 rastet, 3 i kemi të shëruar dhe tendenca është në rënie. Po e menaxhojmë këtë infeksion në vendet ku është gjetë. Falë IKSHPK dhe anagzhimeve tona po shpresojmë që edhe këtë fazë të prillit edhe me masat nga qeveria ta përballojmë edhe më tutje”, tha ai.
Gjatë vizitës së sotme në Gjilan, Kurti u pyet edhe për reagimin e Rusisë.
“Nuk kam dëgjuar për reagimin. Por reciprociteti buron nga koncepti i barazisë dhe s’do mend që atyre nuk iu ka pëlqyer”, tha Kurti.