Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar sot se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa e zbardhur çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Kurti në Ditën e të drejtave të njeriut, të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut tha se kjo ditë është e veçantë që në 30 nene e kodifikon dinjitetin e njeriut.
Ai në këtë ditë të rëndësishme ka folur për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
“Unë besoj që e keni përcjellë edhe ju se personalisht kam qenë i zëshëm dhe në secilin takim me akterë relevantë ndërkombëtar, e kam përmendur çështjen e personave të zhdukurve me dhunë, si çështje edhe me prioritet edhe urgjencë. Po e ri-them që marrëveshje me Serbinë nuk ka pa e u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë”, shtoi Kurti.
Ai ka folur edhe për kohën kur familja e tij nuk dinte për fatin e tij. “Nga 10 qershori i vitit 1999 diku rreth një muaj edhe vet kam qenë i zhdukur, jo pse isha i zhdukur për vete por familja nuk e dinte se ku jam deri atëherë kur na vizitoi Kryqi i Kuq Ndërkombëtar në korrik të 1999…”, tha Kurti.