fbpx

Kurti: sllogani “jo negociata, vetëvendosje” u bë që t’i kundërvihet neo-kolonialistëve

nga Revista Kosovarja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron për vizitë në Britani të Madhe. Kurti atje pati disa takime me zyrtarë të lartë të qeverisë britanike.

Njejtë si në Shetete e Bashkuara të Amerikës [SHBA], Kurti edhe në Angli mbajti disa fjalime në universitete të njohura.

Më 7 maj, Kurti foli para anëtarëve të Oksford Union, ku tha se aty ishte ftuar të flas “si politika i së majtës demokratike”.

Kurti para të pranishmëve, ka folur edhe për kohën kur është themeluar Lëvizja Vetëvendosje [LVV], duke thënë se një lëvizje e tillë ishte e nevojshme kundër anti-kolonialëve që sipas tij ishin Bashkësia Evropiane që është vendosur në Kosovë pas luftës.

“Kur themeluam “Lëvizjen VETËVENDOSJE!” në qershor të vitit 2005, Kosova ishte ende një territor gjoja i padefinuar i drejtuar në pjesën më të madhe nga një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse , i ashtuquajturi Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (i njohur ndryshe si UNMIK). Them “në pjesën më të madhe” për një arsye të fortë : pjesa më veriore e territorit drejtohej ilegalisht nga strukturat paralele të Serbisë. Pas përfundimit të luftës, ato struktura kishin mbajtur kontrollin e tyre në skajin verior të vendit falë spastrimit brutal etnik të shqiptarëve dhe disa joserbëve të tjerë nga qyteti i Mitrovicës dhe rrethinat e tij. Në këtë kontekst, bashkësia ndërkombëtare po i thoshte popullit të Kosovës se për të fituar të drejtën e tyre për një zgjidhje përfundimtare të statusit të tyre politik, ata fillimisht duhej të përmbushin disa standarde. Ashtu si zotërinjtë kolonialë të dikurshëm, ata na thoshin se nuk ishim ende të pjekur për liri. Kjo qasje ndërkombëtare u shpreh formularisht si “standarde para statusit”. Përveç kësaj, ata do të na thoshin se statusi final politik i vendit tonë duhej të negociohej me Serbinë, një shtet me histori të dëshmuar të krimeve të tmerrshme kundër shqiptarëve të Kosovës, dhe një shtet kundër të cilit së fundmi kishim bërë një luftë të drejtë çlirimtare.”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se ishin tre problemeve të menjëherëshme e këto ishin, imperializmi serb, administrata ndërkombëtare që drejtonte kosovës në mënyrë neo-koloniale dhe klasa politike e korruptuar.

“Në këto rrethana mbizotëruese, themelimi i një lëvizjeje në bazë social-demokratike dhe anti-koloniale ishte, për të folur me Eqbal Ahmadin, “si mbjellja e farave gjatë një stuhie”; siç ka thënë ai, “herë pas here, ato japin rendiment; shpeshherë nuk japin.” Artikulimi i një kritike social-demokratike dhe antikoloniale të status quo-së kosovare të asaj kohe na vuri përballë tre aktorëve dhe interesave të fuqishëm njëherësh: para së gjithash, një imperializëm serb të papenduar me qendër në Beograd e që ende ushqen synime gjenocidale kundër nesh; së dyti, një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse që drejtonte Kosovën në një mënyrë neo-koloniale; dhe së treti, një klasë politike miope (dhe shpeshherë) të korruptuar kosovare në Prishtinë, qëllimi kryesor i së cilës ishte mbijetesa e saj politike përmes marrëveshjeve të dëmshme me këto dy qendra de facto të pushtetit. Pozicioni i Serbisë në negociatat për statusin final të Kosovës ishte i përmbledhur në formulën “diçka më shumë se autonomi por më pak se pavarësi”, thuhet tutje në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Më tej, po aty Kurti i është rikthyer sloganit që u përdor deri kur Kurti erdhi në pushtet.

“Të tre formulave ne iu kundërvyem me frazën tonë, që ishte, “jo negociata, vetëvendosje!” Me fjalë të tjera, ne kërkuam që populli i Kosovës të vendosë për fatin e vet politik përmes mekanizmit demokratik të referendumit. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre, të tre palët negociuese ishin të bashkuara në refuzimin e kësaj zgjidhjeje. Perspektiva politike e hapur nga ndërhyrja jonë kritike zbuloi mosmarrëveshjet e tyre për atë që ishin: të vogla në rastin më të mirë, të rreme në rastin më të keq.”, thuhet tutje.

Ndryshe Kurti dhe Vetëvendosje ndër vite i kishin quajt koloniale bashkësinë ndërkombëtare.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]