Kur sot sheh gjithçka që ka bërë Kurti, logjikshëm vjen para dy dilemave:
A është Albin Kurti ai që nuk diti të qeverisë si duhet vendin për të ardhur këtu ku erdhi, apo e komprometoi rrethi qeverisës që ai e zgjodhi ?
Janë të dyja këto që e sollën qeverinë Kurti te flamuri i bardhë, por shumë më shumë se kaq, Albin Kurtin e ka komprometuar rrethi i pushtetarëve të vet . Si ka mundësi një strukturë e re e një lëvizjeje aq aktive që goditën në kontinuitet pushtetin e të gjitha qeverive, sot të dorëzohet me aq shumë gabime qeverisjeje qysh në start?
Të dehur nga entuziazmi për pushtet, qeveria Kurti, nuk u bashkërendua me partnerin e koalicionit. Me LDK-në në pushtet, qeveria e Kurti, lente përshtypjen se Kosova kishte dy qeveri: Qeverinë Kurti me entuziazëm hyjnor dhe qeverinë Mustafa që dinte çfarë dëshironte brenda qeverisë Kurti. Kurti, shumë më shumë mund të përfitonte nga dija e ministrave të LDK-së për ta mbajtur një qeveri stabile,sesa nga ministrat vet .
Gafet e stafit të Kurtit
Ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, u përfshi në deklarata populliste, por të pazbatueshme. E entuziazmuar nga pushteti, me një fjalor sikur të Lëvizjes Popullore, ajo krijoi armiqësi institucionale në raport me pararendësit dhe proceset që duhej të vinin. Në vend se ta kurdiste zbatimin e drejtësisë institucionale me durim dhe në bashkërendim me auditorët dhe organet për ta luftuar dhe demoluar padrejtësinë ekzistuese, ajo zgjodhi të fitojë armiq duke proklamuar fushata të frikshme ndaj kundërshtarëve.
U përfshi me mënyrën e vet të egër në shkarkimin e bordeve edhe Ministrja Hajdari, duke shkelur me mosdije terrenin e shkarkimeve pa kritere, jashtëligjshëm dhe hakmarrës.
U përfshi në skena vendimesh skandaloze edhe zv. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla , që krijoi armiqësi ndaj ish zyrtarëve qeverisës me një arrogancë të theksuar, me shpatë në dorë duke u përngjarë më shumë agallarëve të Sulltan Sulejmanit se sa qeverisjes të shekullit 21.
U përfshi në deklarata antikombëtare edhe këshilltari i Kurtit z. Shkëlzen Gashi, që i dha goditje të rëndë Albin Kurtit.
U përfshinë në deklarata filozofike edhe këshilltarët e tjerë të Kurtit që e dëmtuan imazhin e kryeministrit në detyrë, që ishte imazhi më mbresëlënës jashtë e brenda Kosovës.
Nuk u gjet mirë as Blerim Reka, njeriu që nuk pritej ta huqte gjithë topin . Ai nisi me korridoret në vend se të merrej me integrimet…
Ministri Vitia, e mori de fakto pushtetin e vendimeve nën pandemi, duke e fshehur kryeministrin nga shkeljet kushtetuese.
Me një staf të tillë që prodhonte çdo ditë gafe të pafalshme, Albin Kurti e humbi reputacionin prej kryeministri të shumë zot dhe pritjet për shpresa u venitën deri në dëshpërimin e masës. Qeverisjen e Albin Kurtit e degraduan njerëzit e tij në qeveri . Nuk është korrekte, që Kurti ta kërkojë tradhtinë te Isa Mustafa. Nëse kryetari i LDK-së do të ketë dëshiruar ta bënte qeverinë, ai e kishte rastin 100% dhe krejt çka i duhej ishte që të mos futej në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Albin Kurti, duhej ta falënderonte Isa Mustafën, i cili ia fali të gjitha veprimet mizore që ia bëri ai me lëvizjen e tij personalisht Isa Mustafës dhe familjes së tij. Albin Kurtin e bëri kryeministër LDK- ja e cila i dha rastin ta drejtoi vendin konform fitores relative në zgjedhjet e 6 tetorit. Për të ardhur sërish në pushtet Albin Kurti, duhet ta lerë filozofinë dhe të kalojë në terren praktik të qeverisjes .Ta zbus diskursin politik dhe mendësinë e tij . Të mos i konsiderojë rivalët politikë si armiqë. T’i korrigjojë vijat e kuqe ndaj partive dhe rivalëve.
Të bashkëpunojë me të gjithë. Ta braktis nga narracioni ironinë, shtrembërimin e rivalëve. Të ketë qasje të pranueshme ndaj SHBA-së dhe mbi të gjitha:
Të krijojë rreth të njerëzve të ditur . Safet Krivaça / Kosovarja/