Pas dorëheqjes së Rifat Latifit nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, nga Lista “Guxo” e kanë kërkuar që ta kenë këtë post.
Menjëherë pas dorëheqjes së ministrit Latifi, deputeti i Partisë Guxo, Burim Meta, përmes një postimi në Facebook, tha se nuk ka më kohë për eksperimente në shëndetësi dhe se posti i Ministrit të Shëndetësisë duhet t’i takojë kësaj partie.
“Edhe sa Ministra te Shendetesise duhet te nderrohen, qe ky pozicion ne fund t’i takoj GUXO-s!?” ka shkruar ai në Facebook.
Nga Vetëvendosje e kanë komentuar mbrëmë këtë kërkesë duke thënë se me rëndësi nuk është individi, apo subjekti i caktuar, por përmbushja e premtimeve elektorale për shëndetësinë.
“Respekt për kolegun tonë, por si LVV për ne nuk është i rëndësishëm emri e mbiemri apo nominimi i personit nga ndonjë subjekt i caktuar, por përmbushja e premtimeve tona elektorale që i kemi pasur për sektorin e shëndetësisë”, deklaroi deputeti Artan Abrashi në RTV Dukagjini.
Ndërsa deputeti tjetër Adnan Rrustemi ka thënë se është në përgjegjësi të kryeministrit zëvendësimi i ministrit të Shëndetësisë.
“Por thelbi i programit tonë është përmbushje e premtimeve elektorale dhe në fund të fundit funksionalizimi, njëherë e përgjithmonë i sistemit tonë të shëndetësisë që natyrisht është ndër sektorët më të rrënuar përgjatë viteve në Kosovë”, deklaroi ndër të tjera Rrustemi.
Në letrën e dorëheqjes që Latifi ia ka dorëzuar kryeministrit Albin Kurti, ka potencuar se deri te ky vendim ka ardhur pas “shumë reflektimesh” në muajt e fundit.
“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive iu ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, se që nga sot me datën 6 tetor 2022”, thuhet në letrën e dorëheqjes.