Më 8 shtator të vitit 2022 u nda nga jeta Mbretëresha Elizabeth, pas 70 vitesh në fronin britanik. Letrat personale të 96-vjeçares së ndjerë dhe ditarët ka shumë gjasa që të bëhen publike.
Mbretëresha e ndjerë mbajti një ditar gjatë gjithë mbretërimit të saj dhe iu referua incidenteve të jetës së saj private dhe publike. Sipas të njëjtave informacione, Paul Whybrew i cili ishte i afërt me Mbretëreshën do të marrë vendimin për të vendosur se cilat dokumente janë të përshtatshme për t’u bërë publike dhe cilat jo, pasi ai ka akses në arkivin e paçmuar.
Askush nuk është në gjendje të dijë se sa kohë do t’i duhet Paulit për të përfunduar këtë projekt. Por është e sigurt që Mbreti Karli III do të japë miratimin përfundimtar përpara se libri të botohet.
Nuk është e pazakontë që korrespondenca personale e një mbreti të publikohet. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në rastin e Mbretëreshës Viktoria kur ditarët e saj personal u publikuan në internet.