Ditën e djeshme xhandarmërisa serbe u futën në territorin e Kosovës, saktësisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës.
Fillimisht ishte pronari i një restauranti ai i cili reagoi duke publikuar videon në Facebook, ndërsa kërkoi nga institucionet e Kosovës që të marrin masa.
“Kërkojmë nga institucionet qendrore që të marrin masa dhe të shtojnë praninë e forcave të sigurise së Republikës së Kosovës në brezin kufitar, përndryshe ne jemi të detyruar që provokimeve të tilla t‘i përgjigjemi me mundësit tona. Kufijtë janë në përgjegjësi të organeve të sigurisë së shtetit tonë, por pronën dhe tokën tonë nuk tolerojmë të na e shkelë ushtria çetnike serbe. Kjo është hera e parë! Për herën e dytë do të jetë ma ndryshe nëse nuk merren masa nga shteti ynë”, shkroi Krasniqi.
Ndërsa reagim pati edhe nga nënkryetari i Kamenicës, Faton Jakupi i cili tha se ka kontaktuar me KFOR-in menjëherë pas kalimit të xhandarmërisë serbe në Karaçevë të Kamenicës dhe se e kanë informuar se ka pasur patrullime të përbashkëta të KFOR-it amerikan, turk dhe të palës serbe.“Pas marrjes së informatës se Xhandarmëria serbe futet në territorin e Republikës së Kosovës, menjëherë kam kontaktuar me KFOR, konkretisht me LMT-rajoni Lindje dhe nga ta u informova se sot me datë 07.08.2020 paskan pas patrullime të përbashkëta : KFOR-i Amerikan, Turk dhe pala serbe. Shqetësuese janë këto patrullime edhe nëse janë të përbashkëta. Nga kjo që u pa sot, kërkova takim urgjent me KFOR-in për të diskutuar dhe kërkuar që mos të përsëriten më këso ngjarjesh”, tha Jakupi.Ndërsa, kryeministri i vendit,Avdullah Hoti përmes një shkrimi në Facebook ditën e sotme, tha se do të veprojnë në përputhje me Kushtetuën dhe Ligjin.
“Shpejt do të kem një raport të detajizuar. Qytetarët tanë në atë pjesë nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve. Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”, shkroi Hoti.Por, për GazetaBlic, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj u shpreh se në atë zonë policia e Kosovës nuk ka qasje dhe se është përgjegjësi e KFOR-it.Mirëpo, ndryshe e sheh eksperti i çështjes së sigurisë, Nuredin Ibishi, pasi sipas tij institucionet tona po rrinë duarkryq, e ndërsa xhandarmëria serbe hyn në atë pjesë, parakalon dhe tërhiqet.