Liza Gashi është emëruar zv/ministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Kjo konsiderohet një nga zgjedhjet më të mira që ka bërë kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Liza Gashiu ka mbaruar studimet Master për administratë publike në Arizona State University kurse ato Bachelor për marrëdhënie ndërkombëtare, shkenca politike dhe gjuhë spanjolle, në Wartburg College në Iowa.
Po ashtu ka diplomuar në United World College në Kosta Rikë dhe në National University of Córdoba në Argjentinë.
Ka udhëhequr shumë shoqata, organizata e projekte, ndërkaq së fundmi ishte drejtore ekzekutive e Germin, një emër suksesi ky i urës sonë me diasporën.
Liza Gashi nuk është anëtare e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”.
“Liza Gashi është çika më e mirë e Gjilanit”, ka shkruar një komentues në facebook, menjëherë pasi është emëruar në këtë pozitë.
Mediafokus sjellë detaje tjera për Liza Gashin, nga jeta dhe aktiviteti i saj i mëhershëm
Kolegjet e Botës së Bashkuar, sot veprojnë në disa shtete të globit. Liza Gashi nga Gjilani ishte shqiptarja e parë që ka ndjekur mësimet në Kolegjin e njohur të Kosta Rikës, në mesin e 141 të rinjve tjerë nga mbarë bota.
Në këtë rreth e gjeti gjimnazisten nga Gjilani edhe momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që për të ishte një ditë e veçantë.
Kosta Rika ishte në grupin e shtatë shteteve të para që njohën Kosovën e Pavarur, më 18 shkurt 2008.
Asokohe, pak nga të rinjtë që vijonin këtë kolegj kishin njohuri për Kosovën, madje as kostarikasit.
Me shpjegimet, paraqitjen dhe përfaqësimin e saj, Liza kishte bërë që studentët e huaj të marrin përshtypje pozitive për Kosovën.
Pasi kishte përfunduar misionin e saj në Kosta Rika, ndalesa e radhës për Liza Gashin ishte në SHBA, ku ajo vazhdoi në shtetin Iowa studimet në tri programe të ndryshme, marrëdhënie ndërkombëtare, shkenca politike dhe spanjisht në kolegjin katërvjeçar të Wartburgut.
Me sukses përfundoi të tre “bachelorët”, duke u shpallë studentja më e mirë e huaj.
Të huaj në këtë kolegj kishte nga të gjitha vendet e botës, ngase mbi 140 studentë përfaqësonin 52 shtete, derisa e tërë shkolla kishte 1800 studentë.
Me punën e saj Liza fitoi besimin që të jetë presidente e Organizatës së Studentëve të Huaj.
U zgjodh senatore e Senatit të Studentëve, por për të mbajtur vetën gjatë studimeve, ajo punonte në një qendër profesionale, ku i ndihmonte studentët në përkthime, rezyme, por ishte edhe koordinatore e rezidencës së studentëve, duke organizuar projekte të ndryshme për përfshirjen e të gjithë studentëve në jetën konviktore.
Argjentina ishte vend tjetër i studimeve për Liza Gashin. Në qytetin Cordoba në Argejntinë, ajo vazhdoi studimet në Universitetin Kombëtar të Cordobas, universitet ky me një traditë 400- vjeçare, i njohur në tërë Amerikën Latine.
Ata shumë pak njohuri kishin edhe për Shqipërinë e Liza ishte shqiptarja e parë që po ndiqte studimet në këtë universitet, ku punoi në shumë projekte me të rinjtë e Argjentinës.
Ajo ndihmoi fëmijët e rrugëve, projekt ky i pranuar nga Fondacioni i Bill Clintonit, ish-president i SHBA-ve. Punoi edhe me avokatë të ndryshëm. Ishte edhe pjesë e rotarianëve të rinj të qytetit.
Liza qëndroi edhe në Brazil e Kili. Në Amerikën Latine, Liza ishte bashkëthemeluese e Komitetit Kombëtar të Kosovës për Kolegjet e UWC.
Si presidente e Komitetit Kombëtar për Kosovë, ajo ka prezantuar çdo vit në konferenca të ndryshme.
Ishte pjesë e një projekti për Sudanin Jugor, pastaj pjesë e konferencës së Bill Klintonit, dy vite radhazi, që i dedikohet femrave të zonave rurale dhe të tjera./mediafokus.info