Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malishevën, ku një çift mbeti i plagosur me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, 25-vjeçarja, e cila ishte në javën e 34-të të shtatzënisë, ka ndërruar jetë në Qendrën Emergjente të QKUK-së, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta shpëtuar.
Sipas informacioneve të raportuara nga Sinjali, personi që po trajtohet si i dyshuar në këtë rast është Egzon Bytyqi. Mësohet se arma që dyshohet se është përdorur në ngjarje i përket babait të tij.
Sipas të dhënave fillestare, i dyshuari kishte jetuar dhe punuar për rreth katër vite në Gjermani dhe ishte kthyer në Kosovë vetëm rreth një muaj para tragjedisë. Familjarët kanë deklaruar para autoriteteve se kohët e fundit ai kishte pasur probleme të shëndetit mendor, deklarime këto që mbeten të paverifikuara nga ana mjekësore.
Ndërkohë, edhe i plagosuri tjetër po vazhdon trajtimin në QKUK. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka bërë të ditur se ai është i intubuar dhe i lidhur me respirator, ndërsa gjendja e tij vazhdon të jetë jo stabile.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente, të cilat pritet të sqarojnë të gjitha rrethanat që çuan deri te kjo ngjarje tragjike.
