Hoteli Cecil, i vendosur në zemër të Los Anxhelesit, është bërë i famshëm si një nga hotelet më makabre në botë. Kjo ndërtesë ka tërhequr vëmendjen e kureshtarëve, studiuesve të fenomenit paranormal dhe kineastëve. Reputacioni i tij i errët është ushqyer prej dekadash me vrasje, vetëvrasje dhe fenomene të pashpjegueshme.
I ndërtuar në vitin 1924, hoteli Cecil fillimisht u konceptua si një hotel luksoz për të pritur biznesmenë dhe turistë. Megjithatë, Depresioni i Madh i viteve ’30 shënoi fillimin e rënies së tij. Zona përreth, e njohur si Skid Row, u kthye në një lagje famëkeqe për kriminalitetin dhe varfërinë, duke e shndërruar hotelin në strehë për persona të pastrehë dhe me probleme droge.
Reputacioni i errët i hotelit nisi që në dekadat e para. U regjistruan shumë vetëvrasje dhe vdekje misterioze brenda mureve të tij. Ndër rastet më të njohura është ai i W.K. Norton, i cili në vitin 1931 u gjet i vdekur në dhomën e tij. Ky ishte vetëm i pari në një sërë ngjarjesh tragjike.
Hoteli ka qenë gjithashtu skenë e vrasjeve të tmerrshme. Në vitet ’40, Elizabeth Short, e njohur si “Dahlia e Zezë”, u pa për herë të fundit në barin e hotelit Cecil përpara se të gjendej e masakruar në mënyrë brutale. Edhe pse vrasja e saj nuk u zgjidh kurrë, lidhja me hotelin kontribuoi në famën e tij të keqe.
Dhe kjo nuk është e gjitha. Në vitet ’80, hoteli Cecil strehoi vrasësin serial Richard Ramirez, i njohur si “Night Stalker”. Ramirez kreu disa nga krimet e tij më mizore gjatë qëndrimit në këtë hotel, duke forcuar më tej reputacionin e tij si një vend i mallkuar.
Një nga ngjarjet më të fundit dhe misterioze që tërhoqi vëmendje ndërkombëtare ishte rasti i Elisa Lam në vitin 2013. Studentja e re kanadeze u gjet e vdekur në depozitën e ujit në çatinë e hotelit, pasi kishte qenë e zhdukur për disa javë. Pamjet e kamerave të sigurisë e tregonin Elisa-n në ashensor pak minuta para zhdukjes, duke u sjellë në mënyrë të çuditshme dhe si e trembur nga një prani e padukshme. Rasti mbetet i pazgjidhur dhe ka gjeneruar teori të shumta konspirative.
Historia e errët e hotelit Cecil ka frymëzuar dokumentarë, libra dhe madje edhe një sezon të serialit televiziv American Horror Story. Pavarësisht përpjekjeve për ta rehabilituar, duke ndryshuar emrin në Stay on Main, hoteli vazhdon të tërheqë ata që janë të magjepsur nga misteri.
Në shkurt të vitit 2017, këshilli bashkiak i Los Anxhelesit e shpalli hotelin Cecil monument historiko-kulturor.