Në vitet 90 slogani ishte: Mirë u pafshim në Kosovën e lirë!”. E, tash, në vitin 2024, slogani është: “Lamtumirë, Kosovë e lirë!”.
Ndryshimi ndërmjet këtyre dy sloganeve është i madh, sepse në vitet 90, ata që e lëshonin Kosovën, kryesisht nga represioni i madh policor serb dhe largimi nga vendet e punës, në mendje e kishin kthimin pas çlirimit të Kosovës.
E, tash, në vitin e sivjetmë, 2024, ata që e lëshojnë Kosovën nuk shkojnë që të kthehen, sepse represion policor në Kosovë më nuk ka, por shkojnë për kushte më të mira jetese…
Shkurt e shqip, janë në kërkim të ekzistencës, meqë pjesa dërrmuese e atyre që largohen tash janë të rinj me fakultet të kryer, e që në pamundësi që të kenë një vend pune ia mbathin “kah sytë këmbët”, siç thuhet në popull.
Sepse, edhe 24 vjet pas çlirimit të vendit, asnjë qeveri, por as e tashmja, nuk ka bërë sa duhet për hapjen e vendeve të punës për të rinjtë tanë.
E, ata që janë punësuar, kryesisht, janë punësuar në baza partiake, kurse të tjerët bredhin poshtë e lart dhe me mendjen si t’ia mbathin në Perëndim…
E, se ikja e njerëzve në Perëndim prej fillimit të vitit të sivjetmë është shumë evidente, dëshmon më së miri numri i madh i fluturimeve që bëhen çdo ditë nga Aeroporti “Adem Jashari” i Prishtinës, si dhe numri i madh i autobusëve që marrin rrugë për në shtete të ndryshme të Evropës.
U dhanë edhe shifra se rreth 400 autobusë në ditë nisen në Perëndim, edhe pse në atë shifër mund të jenë edhe vijat e rregullta që kanë qenë edhe para liberalizimit të vizave.
E, kur do të ndalet ikja e të rinjve, por edhe të të tjerëve që shkojnë për kushte më të mira pune, kryesisht e mjekëve, motrave medicinale, punëtorëve të kualifikuar në ndërtimtari e të tjerëve, një Zot e di?!
Por, drita në fund të tunelit ende nuk po shihet…
Isa ILAZI /Kosovarja/