Ledi Vokshin sfidat e bënë të pandalshme

nga Revista Kosovarja

Sapo e dëgjon emrin e Ledi Vokshit, menjëherë të vijnë në mendje shumë gjëra. E njohur si një nga vajzat e para që ka kënduar hip-hop në Shqipëri, për hitin e saj “Çuna si ti Durrësi ka plot”, pastaj për pjesëmarrjen e saj në “Shpija e Kosovës” dhe, gjithashtu, për bamirësi.

Por, jo vetëm kaq. Ledi Vokshi është edhe femra që i ka përdorur mediet sociale në avantazhin e saj për të filluar dhe zhvilluar biznese.

Për shumë vite Ledi Vokshi ka qenë prezent në të gjitha mediet, por edhe në shumë udhëtime nga Nju-Jorku në Shqipëri e Kosovë, duke investuar në industrinë e muzikës dhe jo vetëm.

Pse u zhduk Ledi?
Në pesë vitet e fundit Ledi ka qenë duke marrë trajnime intensive për zhvillim personal dhe të biznesit, në shitje dhe në marketing të medieve sociale.
Gjatë katër viteve të fundit, Ledi Vokshi jo vetëm që u martua, por i ka lindur edhe dy fëmijë, e gjithashtu ka ngritur edhe dy platforma biznesi, një në industrinë e trajnimeve “PowerUP Woman”, që ofron trajnime dhe kurse, e një kompani në industrinë e teknologjisë, duke ofruar shërbimet IT, të cilën ajo dhe bashkëshorti i saj, Luis Marcelio, e kanë ndërtuar dhe zhvilluar në një kohë shumë të shkurtër.
“Kur mora vesh që isha shtatzënë, ishte koha për të mos arsyetuar më, por për të ndërtuar një familje me tradita të reja”, tha Ledi.
Gjithsesi, ani pse me status tjetër, ajo dhe bashkëshorti i saj e filluan kompaninë e IT-së. Ledi u desh të rikthehej në shkollë pas 17 vitesh, ndërkohë që ishte shtatzënë dhe me shumë borxhe për ngritjen e kompanisë me rëndësi për të dhe të shoqin.
Ledi u fiksua pas gjetjes së zgjidhjeve të problemeve në përgjithësi, madje jo vetëm duke mësuar, por këtë herë edhe duke e vënë në funksion atë çfarë ajo po mësonte në këtë rrugëtim.
Qëllimi i saj ishte të gjente mënyra të reja zgjidhjesh në ato që ajo kishte dështuar më parë, të cilat donte t’i ndante me të tjerët, gjë që e bën suksesshëm sot.
Ledi arriti ta merrte kontrollin mbi jetën e saj, të shpërfaqte kapacitete të jashtëzakonshme si një femër me eksperiencë dhe si sipërmarrëse në industri të ndryshme, si në argëtim, shitje, ndërtim, burime njerëzore dhe teknologji.
Më parë, kur kishte dështuar diku, thjesht, kishte hequr dorë, por jo më. Jeta e saj ndryshoi në kohën e pandemisë, meqë kompania e IT-së, që e kishin themeluar me bashkëshortin, po rritej shumë shpejt. Shumë të tjerë po vuanin, veçanërisht në aspektin e biznesit, por jo edhe Ledi, meqë biznesi i rritej.
Kjo femër e fuqishme tashmë e ka marrë jetën në duart e saj, e kjo edhe duke i parë prindërit që u përpoqën shumë në jetë, që shkuan në Amerikë për një jetë të re në moshën 50-vjeçare, për ta fituar kontrollin mbi jetën e tyre, pastaj për dy djemtë e saj, ngase e kishte kuptuar se për të qenë bashkëshorte e nënë e mirë, fillimisht, duhet ta rriste veten fuqishëm.
Kështu, këngëtarja sensacionale e dikurshme filloi t’i ndihmonte gratë me trajnime virtuale që t’i mësonte se si t’i kthenin pasionet e tyre në fitime monetare.
Ledi po i mësonte ato si të përdornin historinë e tyre dhe mediet sociale për ta kthyer pasionin në të ardhura konkrete financiare.
“Mund ta përballojmë çdo sfidë kur pesë gjëra hyjnë në lojë: historia, qëllimi, aftësitë, veprimet dhe përgjegjësia”, thotë Ledi.
Në “Kosovare” ajo tregon hapur për veten, jetën dhe arritjet e saj mbresëlënëse…

Kush është Ledi sot?
– Një grua që pas shumë vitesh, duke i rënë “murit me kokë”, vendosi të punonte me mendësinë dhe filloi të jetonte dhe punonte drejt realizimit të gruas që ajo donte të bëhej, jo nga mënyra se si dukej apo i bënte gjërat, por nga mënyra se si ajo ndihej.

Çfarë të shtyu të bëheshe kjo që je sot?
– Unë kam kaluar shumë në jetë. Çdo herë që lëndohesha, ngrihesha sërish dhe filloja nga fillimi. Gjithmonë bëja paqe me gjërat që më ndodhnin mua, por nuk analizoja pse më ndodhnin dhe si mund t’i parandaloja në vazhdimësi.
Forcën për të ecur përpara e kam marrë nga prindërit e mi. Ata janë arsyeja që unë kam forcë dhe kurajë për të mos hequr dorë kurrë. Ata kanë filluar nga zero disa herë. Nëse atyre nuk u pëlqente diçka, ata do të luftonin për ta ndryshuar atë. Ata asnjëherë nuk ishin të qartë për destinacionin e jetës së tyre, por e dinin që donin një jetë më të mirë.
Por, ishte koha ndryshe…
E unë, këtë herë u detyrova të filloja të analizoja pse këto dështime, dëshpërime dhe sfida?

Cilat kanë qenë sfidat e jetës për ty?
– Kur erdhi pandemia, unë po përballesha me sfidën më të madhe, pasi të dy prindërit e mi ishin të sëmurë në spital, i kisha dy fëmijë të vegjël, isha duke ndërtuar një biznes, duke mësuar si të isha një grua për bashkëshortin tim dhe mendoja që nuk isha duke bërë mjaftueshëm.
Doja të bëja më shumë, të kisha më shumë…
Dhe, duke u munduar të gjeja balancën, i bëja dhe i arrija të gjitha, madje dhe duke i bërë të lumtur të gjithë.

Çfarë hapash ndoqe?
– E kuptova se kisha ngecur midis dy botëve: Jeta ime e mëparshme me traditat dhe ato të rejat që unë po i ndërtoja.
Isha zinxhiri që po i mbante të gjithë të lumtur, prandaj unë duhej të isha e fortë mjaftueshëm që mos të thyhesha.
Njerëzit thonë se jeta është balancë. Kjo është gënjeshtër. Jeta është gjithçka rreth marrjes së vendimeve të shpejta dhe kur merr vendime disa do të humbin dhe disa do të fitojnë.
Unë nuk mundesha më të bëja çdo gjë dhe nuk mund të fitoja gjithmonë…

Pse e vuajte kaq shumë traditën, të kaluarën tënde?
– Fillova të gjykohesha shumë nga njerëzit. U martova me një person që nuk ishte shqiptar. Burri im është i lindur në Republikën Dominikane dhe i rritur në Holandë.
Njerëzit nuk e pranonin se si një vajzë, e që bën kaq shumë për komunitetin shqiptar, mund të bëjë diçka të tillë.
Pastaj, u gjykova sepse mendonin se unë mund ta kisha shfrytëzuar atë për lekë, ndërkohë që unë dhe ai ishim në borxhe deri në fyt, duke e ndërtuar kompaninë tonë.
Kur i linda fëmijët, fillova të gjykohesha për mënyrën se si t’i rrisë, si t’u flasë etj.
Presioni vazhdonte non-stop rreth asaj se si ta jetoja jetën, si t’i rrisja fëmijët, si ta mbaja traditën dhe kulturën tonë gjallë.
Kam kaluar shumë sfida në jetë, si bullizmin, abuzimet nga më të ndryshmet, verbale, fizike, seksuale, por asgjë nuk ishin ato kur e sfidon mendësinë dhe traditën tënde, e kur i ke edhe dy fëmijë për t’i rritur.

Çfarë vendimi more për ndryshim?
– Fillova një luftë që do ta fitoja, se nuk mund të kthehesha më mbrapsht te ajo Ledi që mendonte ta bënte çdo njeri të lumtur dhe të ishte mirë me të gjithë.
Lufta ime ishte me mendësinë time dhe me traditën. Unë mundohesha të jetoja në një botë të vjetër, e cila nuk kishte evoluar ashtu siç mendoja unë dhe, po ashtu, jetoja një botë të re, në të cilën gjërat ndryshonin shumë shpejt.
Dhe, duke i analizuar dështimet dhe gjërat që po i vuaja, erdha te pika e vendimit: Vendosa që sa herë ta vëreja veten që po analizoja dhe po merresha me mendime negative, shembull, me fjalët e njerëzve, urgjentisht t’i rregulloja dhe të mos zgjohesha në mëngjes e mërzitur.

Aq e vështirë ishte ta mbaje traditën shqiptare gjallë, a?
– Unë e adhuroj traditën time, e burri im e respekton shumë. Por, janë disa gjëra që janë futur në funksion nga më të vjetrit, të cilat nuk funksionojnë në botën e re.
A jam më pak shqiptare nëse nuk i mbaj traditat gjallë?
A jam më pak shqiptare nëse nuk i kuptoj të gjitha fjalët shqip?
A jam më pak shqiptare nëse fëmijët e mi nuk janë 100 për qind shqiptarë?
Unë jam shqiptare, por isha e lodhur dhe po vuaja nga fjalët që i dëgjoja, si: “Kështu duhet bërë”, “Kështu e kemi ne”, “Kështu bëjnë shqiptarët”, “Mëso të flasësh shqip”…
A jam nënë e keqe nëse dua të bëj më shumë për veten, nëse dua të punoj, nëse dua ta kem paranë time?
A jam më pak grua nëse dua të jem edhe grua për burrin tim, edhe nënë për fëmijët e mi, e edhe ta kem një profesion që më bën të lumtur?

Si e ke vënë në funksion vendimin që more?
– Ndërtova një hartë për veten time. Ishin pesë pikat që duhej t’i ndiqja. Pavarësisht sa hapa kthehesha prapa, duhet të rifilloja sërish dhe në ditën që do t’i masterizoja këto pika, atëherë do t’i hapja dyert për t’ua mësuar të tjerëve.

Cilat janë ato pika që i vure në funksion?
– Historia që i thosha vetes:
Çfarë është arsyeja e kësaj?
Çka më duhet të mësoj nga kjo?
Çfarë është plani që kam vendosur?
Nëse nuk e arrijë vetë, kush duhet t’më ndihmoj ta arrij këtë?

Çfarë do t’i thoshe vetes, Ledit të viteve më parë?
– Çohu çdo ditë dhe thuaji vetes: “Unë nuk duhet të di çdo gjë vetë! Kujt mund t’i kërkoj ndihmë që të më ndihmoj të arrij më shpejt në destinacionin që dua?”.

Çfarë të ndihmoi?
– Qartësia. Sepse, një nga trajnimet e para ku investoja ishte ai ku mësoja se si të isha e qartë me veten. Nëse nuk do të isha e qartë se ku doja të arrija, do të ishte e pamundur.
Prandaj, në trajnimin tim hapat e parë janë gjithmonë “Mendësia & Qartësia”, sepse pa këto dy gjëra do të dështojmë gjithmonë gjatë rrugës.

Çfarë do të thotë sukses për ty?
– Duke u zgjuar çdo mëngjes me buzëqeshje në fytyrën time dhe pa stres.

Si është ta menaxhosh jetën familjare, private dhe profesionale?
– Luisi dhe unë jemi të dy në të njëjtin rrugëtim. Ne, të dy, kemi vlera të njëjta familjare dhe ndonjëherë duhet të bëjmë sakrifica, në mënyrë që të arrijmë aty ku duam. Net të vona duke punuar, zgjim herët në mëngjes.
Është gjëja më e rëndësishme për ne, të dy, të shijojmë fëmijët, ndërsa janë akoma të vegjël.
Por, ndonjëherë duhet të punojmë kur pjesa tjetër e botës është akoma duke fjetur, që ne të mund të bëjmë sa më shumë në 24 orëshin e ditës.
Koha me familje dhe koha private me njëri-tjetrin nuk është e diskutueshme, kjo është arsyeja pse ne ndërtojmë biznese që punojnë për ne, në vend që ne të punojmë për biznesin.

Çfarë të bën të pandalshme?
– Kur e kupton që ke lindur për të vdekur, se çdo ditë, deri në fund, do të bësh çdo gjë me fuqinë tënde për të jetuar një jetë me shumë qëllime, njëkohësisht duke u ndihmuar edhe të tjerëve.
Vetëm kështu njeriu ka një arsye që të zgjohet çdo ditë e të mos ndalojë në rrugën e përmbushjes së misionit personal.

Si i ndihmon të tjerët me trajnimet e tua?
– I ndihmoj të tjerët të kenë liri dhe kontroll mbi jetën e tyre. Lirinë e fiton pasi të kesh punuar shumë me mendësinë tënde dhe je gati të arrish çdo gjë. Kontrollin njeriu e fiton pasi ka filluar të bëjë para. Në kohët e sotshme nuk është aq e lehtë ta përdorësh medien sociale, t’i rrisësh dhe t’i shesësh shërbimet tua.

Misioni yt për të ardhmen?
– Adhuroj të gjej zgjidhje të problemeve të ndryshme dhe, pasi t’i kem gjetur, t’u mësoj edhe të tjerëve. Kështu, t’ua bëj jetën më të lehtë.
Pra, sa më shumë mësoj, aq më tepër i mësoj dhe ndihmoj të tjerët. Unë do të vazhdoj t’i mësoj të tjerët se si ta fitojnë lirinë dhe kontrollin e jetës së tyre, duke përdorur mendësinë e tyre, mediet sociale dhe bizneset.
Liria fitohet me mendësi, me qartësi, e kontrolli fitohet duke i shfrytëzuar rrjetet sociale për të përfituar të ardhura.

Nderim Neziri

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]