Linda ka rrëfyer se si disa familjarë nuk i flasin që prej martesës me Big D.
Linda Halimi ka disa javë që ka udhëtuar në Tiranë, ku po qëndron për pjesëmarrje në festivalin “Kënga Magjike”.
Së fundi, këngëtarja ka dhënë një intervistë për “Soiree”, ku ndër të tjera foli për njohjen me reperin Big D, dhe si erdhi deri tek martesa me të.
“Big D ka punuar edhe ai në kampin Bondsteel. Nuk është se e kam takuar gjatë kohës kur punoja unë aty. Ai ka ardhur në një koncert, isha në Ferizaj, sepse po bënte edhe ai muzikë, kështu si shaka kishte filluar të bënte rap. Dhe pastaj deshi të bëjë një duet, sepse kishte dëgjuar që ishte një këngëtare e re, që është mirë të bënte një bashkëpunim. Gjasme për duet, por ai kishte pasur tjera qëllime. Pastaj pas gjashtë ose shtatë muajsh më ka dhënë puthjen e parë”, u shpreh ajo.
Ndër të tjera, Linda foli edhe për paragjykimet me të cilat u përball kur u martuar me Big D, teksa thotë se ka ende familjarë që nuk i flasin për këtë gjë.
“Kisha shumë frikë t’ju tregoja prindërve më së pari, sepse ishim vend i vogël, vend konservativ, vajzat akoma jepeshin ende me mblesëri, s’e njihnin as burrin. Babi më tha: ‘Unë e kam ditur këtë histori, sepse dikush që e ke vetëm mik nuk vjen me të marrë ty në lokal në orën 10 të natës në darkë, nuk del me miq në darkë deri në 3:00 të mëngjesit, sepse unë i kam kaluar këto kohë, por bëhesha sikur nuk dija deri sa të më tregosh ti vet’. E them pa turp që kam edhe familjarë më të largët të cilët akoma nuk më flasin, sepse nuk e perceptojnë, sepse ideja e tyre ka qenë që ‘kur ti martohesh, prezanton familjen, e ti na ke keqpezantuar d.m.th’. Mirëpo secili ka jetën e vet, te gjithë janë te martuar, shpresoj që kanë me qenë të lumtur dhe kaq ka rëndësi, në fund të fundit, unë do të jetoj me të”, deklaroi këngëtarja.
Ndryshe, Linda Halimi këtë vit është rikthyer në festivalin “Kënga Magjike” me këngën “Pa t’pa”, për të cilën ka marrë komente pozitive nga fansat.