Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Në ngjarje të tilla jo rrallëherë janë përfshirë edhe çiftet e moshuara.
Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur të hënën në mbrëmje, në fshatin Topliqan i Ri në Lipjan, ku një 85-vjeçar e ka rrahur brutalisht bashkëshorten e tij, e cila për pasojë përfundoi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktima është e moshës 84-vjeçare, e cila është sulmuar fizikisht nga burri i saj, i cili dyshohet t’i ketë shkaktuar lëndime të rënda, deri në atë pikë sa ia ka thyer brinjët.
Teksa gruaja po merr trajtim mjekësor në spital, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij për atë që ka ndodhur, raporton Gazeta Sinjali.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj tij është iniciuar rasti si “Dhunë në familje”, ndërsa shumë shpejt pritet që edhe gruaja të jap versionin e saj për dhunën që ka përjetuar nga burri.