Pas një rrugëtimi artistik që ka kaluar përmes muzikës, grafitit dhe pikturës, Lirijeart rikthehet për herë të parë para publikut kosovar me ekspozitën personale “Luan’eshë – Një vepër e gjallë”. E lindur në Prishtinë dhe e vendosur prej vitesh në Gjermani, ajo ka ndërtuar një identitet artistik të veçantë, ku portreti, simbolika dhe emocionet bashkëjetojnë në të njëjtën tablo.
Në këtë bisedë për “Kosovaren”, artistja rrëfen rrugëtimin e saj, sfidat, frymëzimet dhe mesazhin që dëshiron t’u lërë vizitorëve të ekspozitës.
Po riktheheni në Prishtinë me ekspozitën tuaj të parë personale. A ka një emocion të veçantë ky moment?
Pa dyshim. Është një nga momentet më emocionale të jetës sime artistike. Prishtina është vendi ku kam lindur, ku kanë nisur kujtimet e mia të para dhe ku janë rrënjët e identitetit tim. Edhe pse jetoj në Gjermani që nga viti 1993, lidhja me vendlindjen nuk është zbehur kurrë. Kjo ekspozitë është shumë më tepër se prezantimi i veprave të mia; është një rikthim te vetja, te kujtesa dhe te rrugëtimi që më ka formësuar.
Sot ju njohim si piktore, por arti ka hyrë në jetën tuaj shumë më herët. Ku fillon, në të vërtetë, historia e Lirijeart?
Fillon me muzikën. Kam qenë pjesë e korit “Rilindja”, nën dirigjimin e Ramadan Ramadanit, ndërsa më vonë u bëra pjesë e skenës së hip-hop-it shqiptar në fund të viteve ’90, si një nga reperet e para femra që krijonin në gjuhën shqipe. Më pas erdhi grafiti, që u bë ura ime drejt pikturës. Si artiste autodidakte, ndër vite kam ndërtuar gjuhën time artistike përmes vajit, akrilikut, pastelit dhe mural artit.
Në fund të viteve ’90 nuk ishte e zakonshme të shihje një vajzë në skenën e hip-hop-it shqiptar. Si e kujtoni atë periudhë?
Ishte sfiduese, por edhe shumë formuese. Në një skenë ku dominonin djemtë, mësova të mbroj idetë e mia dhe të besoj në atë që krijoja. Sot e shoh atë periudhë me krenari, sepse më mësoi se të qenit ndryshe nuk është pengesë, por forcë.
Në atë periudhë keni pasur edhe një përvojë të veçantë me reperin Beka dhe skenën e hip-hop-it. Çfarë roli pati ajo mbështetje në rrugëtimin tuaj artistik?
Një kopertinë albumi e reperit të njohur Beka e vlerësoi artin tim që atëherë. Ai më dha mundësinë që të vizatoja brenda albumit të tij emrin “Beka”. Dua ta saktësoj se vetëm emri “Beka” është realizuar nga unë, ndërsa punimet e tjera brenda albumit nuk janë të miat. Në këtë mënyrë mora një mbështetje të madhe si në skenën e hip-hop-it dhe të muzikës, ashtu edhe në aspektin artistik të grafitit. Ishte vetë reperi ai që më përmendi me emër në albumin e tij dhe më dha një shtysë të madhe për të vazhduar rrugën time artistike.
Nga muzika te grafiti, e më pas te piktura. A ishte ky një ndryshim apo një vazhdimësi?
Për mua ka qenë një evolucion i natyrshëm. Muzika më mësoi ritmin dhe emocionin, grafiti më dha lirinë e shprehjes vizuale, ndërsa piktura më lejoi t’i bashkoj të gjitha në një gjuhë artistike personale.
Sot krijoni nën emrin Lirijeart. Cila është filozofia që qëndron pas artit tuaj?
Në qendër të krijimtarisë sime është “Luan’eshë”, një koncept që simbolizon forcën e brendshme, dinjitetin, lirinë dhe lidhjen mes njeriut, natyrës dhe shpirtit. Arti, për mua, nuk matet me vlerën materiale. Ai matet me emocionin që zgjon dhe me lidhjen që krijon me njeriun që e sheh.
Portretet tuaja dallohen menjëherë. Çfarë kërkoni të zbuloni përtej fytyrës së një personi?
Portreti nuk është vetëm pamje. Ai është karakter, energji dhe histori. Përpiqem të zbuloj atë që nuk shihet menjëherë, atë pjesë të brendshme që e bën secilin njeri unik.
Keni portretizuar figura të njohura, nga Dua Lipa te personalitete të tjera shqiptare. Çfarë i bashkon të gjitha këto vepra?
Të gjitha mbajnë të njëjtën gjuhë artistike: gjysmëfytyrën e ndërthurur me simbolikën e luanit ose luaneshës. Nuk më intereson vetëm ngjashmëria fizike. Më intereson të tregoj forcën, karakterin dhe identitetin e secilit person.
Arti juaj tashmë po udhëton edhe jashtë kufijve. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Është një motivim i madh. Veprat e mia do të prezantohen në Kinë, ndërsa një punim në pastel është përzgjedhur në një prezantim të veçantë të Pastel Masters. Kjo më ka bindur edhe më shumë se arti nuk njeh kufij. Ai komunikon me njerëzit, pavarësisht gjuhës apo kulturës.
Në këtë ekspozitë do të prezantoni edhe Fine-Art Prints. Pse ishte e rëndësishme t’i përfshini?
Sepse janë një mënyrë për ta bërë veprën të jetojë edhe përtej origjinalit. Çdo Fine-Art Print realizohet në vetëm pesë ekzemplarë dhe ruan cilësinë, ekskluzivitetin dhe lidhjen me veprën origjinale. Për mua, ai nuk është një kopje, por një vazhdim i historisë së veprës.
Rikthimi juaj në Kosovë lidhet edhe me kujtime të hershme artistike. Si ka qenë ajo përvojë dhe çfarë ndjeni kur e rikujtoni sot?
Pas arratisjes sime në vitin 1993, kishin kaluar tetë vjet e gjysmë kur për herë të parë u ktheva përsëri në Kosovë. Një vit më vonë pata mundësinë të këndoja në teatër, në një koncert, dhe ndër të tjera u paraqita edhe në revistën “Kosovarja”, edhe në programin “Për një ditë të mbarë” dhe kështu me radhë.
Tani të gjitha këto kujtime dhe emocione po rikthehen përsëri tek unë.
Në fund, çfarë dëshironi të marrë me vete çdo vizitor pasi të largohet nga ekspozita?
Do të doja që secili të largohej me më shumë besim te vetja. Besoj se arti na kujton se nuk duhet t’i vendosim kufij ëndrrave tona dhe se forca më e madhe qëndron brenda nesh. Nëse veprat e mia arrijnë të prekin qoftë edhe një zemër, atëherë misioni im si artiste është përmbushur.
Ekspozita “Luan’eshë – Një vepër e gjallë”
Hapja zyrtare do të mbahet më 19 gusht, në orën 20:00, në Lavjerr’S Culture Cafe, rr. Hamdi Mramori 1, Prishtinë.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun për rreth tri javë.
Më 25 gusht do të organizohet edhe një workshop artistik, ku vizitorët do të kenë mundësi të njihen nga afër me procesin krijues dhe filozofinë artistike të Lirijeart.
Nderim Neziri
