Kush do ta besonte?
Isha zgjuar në mëngjes herët, tamam tash një vit dhe po e pinim kafen e mëngjesit me gruan. Kushëriri im, në rrugën afër shtëpisë sime, u ndal dhe më pyeti në një distancë 50 metra largësi: A ke dëgjuar që ka vdekur Mulla Q. sot?
Jo, nuk kam dëgjuar – i thash.
Bëhu gati pra e të shkojmë në pamje.
Adeti i vendit tim në këto raste ishte, qysh në mëngjes të shkohet te fqinji t’i japin ngushëllime familjes dhe të pranishmëve.
Kusheriri eci tutje dhe mua më dolën lotët. E dija, se të gjithë të parët tanë, në 30 vitet e fundit, ai i kishte përcjell për në varr dhe i kishte kryer ceremonitë e vdekjes të bashkëfshatarëve.
Pas 15 minutave u kthye kushëriri tek unë dhe u nisëm bashkë për në pamje.
Anipse më dukej jo bindëse kjo vdekje, vendosa të shkoj, tek iu bashkëngjita kushëririt e disa kojshive që ia kishin mësyer shtëpisë që mbahej e pamja.
Që në hyrje të odës, u stepa. Mbeta pa frymë.
Mulla Q. ishte ulur në krye të vendit. Posa e pashë, m’u lëshua një rrëqethje. Njeriu për të cilin kishim shkuar për krye shnosh, ishte i gjallë, madje në krye të vendit.
Desha t’i tregoja se si ndodhi që kishim ardhur aty dhe për çka, por s’munda të flisja asgjë tjetër, pos t’i tregoja se për të kishim ardhur…
Meqë në ato momente në odë hyrën disa veta, hoxha mundi vetëm të më falënderonte, pa e kuptuar se ne kishim shkuar të ngushëllonim pikërisht për vdekjen e tij.
Tash para tri ditësh, ndodhi e vërteta. Imami, Mulla Q. kishte ndërruar jetë.
E pashë në fb lajmin. Nuk më dolën lotët.
Kohë pandemie dhe pa të pame po shkon gjithkund.
I thash vetes: Unë kam qarë njëherë për imamin tonë. Lotët i kam kryer para një viti. Edhe pamjen e kisha kryer në ditën e vdekjes së Haxhi I. i cili kishte vdekur atë ditë e që kushëriri im ishte informuar gabimisht për vdekjen e imamit të katundit.
E ku është ky virus?
Unë besoj, se virusi Covid-19 ekziston mes nesh.
Por, befasia ndodhi dje pas dite, tek shkoja në drejtim të Ferizajt dhe një reporter i një shtëpie televizive që e vizitonte direkt qendrën e Ferizajt i pyeste njerëzit, pse nuk kishin vërë maskat në fytyrë?
Të gjithë, thuajse e jepnin përgjigjen e njëjtë, se nuk e besonin virusin.
Njëri, që ishte diku afër 70 vjeç, iu drejtua reporterit me fjalët: ”Çka më duhet maska mua? Kurrë deri tash , në jetën time s’kam pirë as ilaçe… E ku është ky virus? ”
Pastaj, reporteri e mori përgjigjen e njëjtë edhe nga një qytetar tjetër. Njëjtë e mori edhe nga disa qytetarë tjerë.
Kështu që nga të gjithë ata bashkëbisedues, doli se shumica nuk e besonin virusin që po vret njerëz në tërë botën , jo vetëm tek ne.
Çuditërisht, po dëgjoj këto ditë, se IKSHPK, në disa raste nuk i ka informuar rastet pozitive fare dhe, pozitivët kanë kuptuar tërthorazi se janë me Civid-19.
Në një rast janë bërë edhe polemika mes një të infektuareje dhe një zyrtari të IKSHPK-së, që ishte dashur ai ta lajmëronte pacienten se kishte rezultuar pozitiv.
Pra, nëse zyrtarët e këtij instituti nuk lajmërojnë as rastet pozitive, ata vetë po tregojnë se nuk duhet të kihet frikë prej tij. Safet Krivaca / Kosovarja /