Një luftë për merita ka filluar mes dy ministrave të Qeverisë Kurti dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës. Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ai i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrullah Çeku, po e akuzojnë Ramën se po i përvetëson meritat për punët e tyre. Rama u është kundërpërgjigjur, duke thënë se në vend se të njëjtit ta ndihmojnë kryeqytetin, po ia bllokojnë projektet. Në këtë debat është përfshirë edhe ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” dhe projekti “Solar4Kosova”, janë bërë shkaktare të një përplasje të re mes nivelit qendror dhe atij lokal. Dy ministra të Qeverisë Kurti, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, kanë drejtuar akuza në drejtim të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, se po ua përvetëson punën.
Çeku është treguar më i ashpër në këtë drejtim, duke thënë se Rama po gënjen sa i përket lojërave mesdhetare. Ai ka akuzuar Ramën se po e përvetëson punën e tjerëve, duke thënë se të vetmin kontribut për organizimin e Lojërave Mesdhetare, e ka vënien e nënshkrimit, që thotë se e kanë vënë edhe gjashtë kryetarë të komunave tjera.
“Pse ka nevojë për gënjeshtra, këtë unë spo e kuptoj…Kur t’i cohesh e përvetëson punën e tjetrit, përbesë nuk besoj që ka ndonjë përkufizim tjetër përvecse hajni. Hajnia nuk është vec me vjedh pare. Edhe punën e dikujt kur e përvetëson, ia han hakun, ajo është hajni. Qysh mundet dikush që të vetmin kontribut në këtë punë, në këtë sukses, e ka këtë nënshkrim dhe asgjë tjetër, me tentu me përvetësu punën e dikujt tjetër. Edhe ky nënshkrim është pas Ministrit të Pushtetit Lokal, sepse gjithcka është koordinu nga Qeveria”, ka deklaruar Çeku.
Disa ditë më pas, Ramës i ka reaguar edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Ai e ka akuzuar të parin e Prishtinës për përvetësim të meritave edhe për Lojërat Mesdhetare, por edhe për projektin e Ngrohjes Solare.
“Kjo shprehje mu kujtua kur pashë atë që paska shkruar Përparim Rama sot, i cili paska plasuar edhe një gënjeshtër, pas asaj për Lojërat Mesdhetare, në tentativën e tij për të marrë merita për punët e të tjerëve. Gënjeshtra më e fundit ka të bëjë me gjoja “sigurimin e lokacionit” nga ana e tij për projektin e Ngrohjes Solare. Përparim, lokacioni është siguruar qysh në mars të vitit 2022. Shih postimin e Ministrit Aliu asokohe. Si Ministri e Financave e kemi siguruar madje edhe financimin për këtë projekt”, ka thënë Murati.
I pari i Prishtinës ka reaguar duke thënë se puna e tij po u pengon dy ministrarave, “të cilët në vend se të ndihmojnë në zhvillimin e Kryeqytetit, bllokojnë projektet e sulmojnë me gjuhën më të ulët.”
Për projektin për të cilin e kritikoi dhe akuzoi Murati, Rama ka thënë se Kryeqyteti dhe Komuna e Obiliqit, kanë punuar 18 muaj në mënyrë intenzive, dhe në këtë proces kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Mjedisit.
Ai ka theksuar rolin e Komunës në këtë projekt, ku ka thënë se pa shpronësimet e realizuara, nuk do të realizohej projekti.
“Një prej këtyre sulmeve ndodhi edhe dje, kur Kryeqyteti nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Obiliqit, për realizimin e projektit të Ngrohjes Diellore “Solar4Kosovo”. Me anë të kësaj marrëveshjeje ne si Kryeqytet kemi marrë përgjegjësinë që të kryejmë obligimet financiare që do të dalin nga procesi i shpronësimit të pronave të cekura në marrëveshje, sepse pa këtë shpronësim nga ana e Kryeqytetit nuk bëhet projekti”, ka thënë Rama.
Sa i përket Lojërave Mesdhetare, Rama ka thënë se po mundohet të neutralizohet roli që ka Kryeqyteti si nikoqit në organizimin e kësaj ngjarje historike.
“Sipas marrëveshjes, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare i beson qytetit të Prishtinës dhe Komitetit Olimpik, organizimin e lojërave mesdhetare në Kryeqytet. Kjo gjuhë e përdorur nga ministra të caktuar të Qeverisë përveç se e dëmton organizimin e këtyre Lojërave, e prish edhe imazhin e Kosovës”, shkroi Rama në Facebook.
Në fund të reagimit, Rama i akuzoi Ministrat e Qeverisë Kurti se po ia bllokojnë projektet dhe se refuzojnë vazhdimisht kërkesat për bashkëpunim.
“Më tutje, këta ministra: i mbajtën afër 30 milionë Euro buxhet të Kryeqytetit në mënyrë të padrejtë deri në muajin korrik 2023; nuk e përfshinë Kryeqytetin në përzgjedhje të projekteve të mëdha infrastrukturore siç është Salla e Operas dhe Baletit; vazhdojnë të bllokojnë projektin e Unazës së Kryeqytetit; dhe vazhdimisht refuzojnë kërkesat për bashkëpunim”, shkroi Rama.
Në luftën për merita, është përfshirë edhe ish-Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Lidhur me projektin për Ngrohjen Solare, Ahmeti e ka sugjeruar Muratin që të flasë me Ministrin Liburn Aliu se kush e ka filluar këtë projekt.
“Mirë është me fol me Liburn Aliu edhe kush e ka nis këtë projekt e kush ka negociu fillimisht e kush i ka bo bashkë KfW e EBRD e kush i ka bo bashkë kryetarin e Obiliqit e Ministrin Aliu. Tjetër është me nënshkru financimin e tjetër me i majt 20 takime me KfË me i lut për financim e mos me hup projektin për shkak të tekeve individuale. Fremdschamen!
Leni meritat se mezi i patëm ul krejt me një tavolinë e kryne projektin. Këtë detyrë e keni krejt me punu bashkë kush mundet me ndihmu për Prishtinë e Kosovë. Skam fol asnjëherë për meritat por po ja teproni”, ka thënë Ahmeti