fbpx

Madhështia e figurës sate nuk po ka vend për ndonjë monument ose memorial për ty

nga Revista Kosovarja

Në një postim emocionues në Facebook, Vlora Çitaku përkujtoi figurën e Shotë Galicës, lindur më 10 nëntor 1895 në Radishevë.

Si një simbol të pashuar të trimërisë dhe barazisë gjinore. Ajo ndau fjalët e Sala Ahmetajt, që theksojnë rolin e Shotës në sfidimin e kodeve morale që favorizonin vetëm burrat:

Postimi i plotë i Vlora Çitakut:

Sala Ahmetaj:

“Sot oda demokratike nuk mund të krahasohet e as të jetoj me konceptin e odës traditë që ka qenë i vetmi institucion moral e shoqëror. Shota duke hyrë në odë aty ku hynin vetëm burrat nuk është bërë burrërore, por trime, e dinjitetshme dhe luftëtare që sfidoi një kod moral që favorizonte vetëm një gjini.

Ajo hyri për të treguar se vlerat morale, etike nuk kanë gjini, sepse siç mund të ketë një grua trime, të guximshme, e të ndershme mund të ketë edhe një burrë qyqyar ose frikacak. Pra, vlerat dhe dhuntitë janë tipare njerëzore. Prandaj le të na shërbejë Shota si metaforë e forcës dhe e guximit dhe e ruajtjes së vlerave të mirëfillta nga plazmimet kulturore që po e shpërfytyrojnë gruan tonë dhe po e lëndojnë qenien e saj.

Ne nuk jemi me ndërgjegje të qetë se mirënjohjen për ty nuk e kemi të mjaftueshme. Por, e di se do t’na falësh sepse drama jonë ka vazhduar gjatë dhe ende nuk jemi këndellur. Edhe Radishevën tënde, Drenicën dhe tërë Kosovën e kanë vrarë dhe plagosur shumë herë. Kullat janë rrënuar e janë ringritur përsëri. Por, përveç kësaj, pabarazia gjinore ende po na e zë frymën. Kurse madhështia e figurës sate nuk po ka vend për ndonjë monument ose memorial për ty, as për ndonjë emërtim të ndonjë institucioni të lartë arsimor ose ushtarak.

E ti Shotë edhe pas një shekulli ke mbetur e re siç ke qenë. E tillë do të mbetesh gjithmonë, vetëm 32 vjeçe, e bukur, pa asnjë rrudhë. Dhe sa herë që Kosova do të ketë nevojë për frymëzim, për vizion e për gjak të ri, rruzat e kuqe do t’i marrë nga ti.

Jim Morrison shkruan: ‘Në qoftëse një ditë do të zgjohesh dhe nuk e sheh diellin, ose diell je ti vetë ose ke vdekur’. Ti Shotë je vetë Dielli.”


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]