Kushdo që i ka bërë gabimet rreth pronës së Manastirit të Deçanit për 800 hektarë pronësi, duhet të kuptojë, se vënia nën ligj mbrojtës të pronave të manastirit, është aprovuar në Kuvendin e Kosovës dhe e njëjta ka të drejtë të votojë pro rrugës Deçan –Plavë, si rrugë e interesit nacional.
Interesi nacional i shtetit, nuk mund të pengohet prej askujt. Pezullimi i punimeve të rrugës Deçan-Plavë që është konfirmuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, nuk është dashur të ndodhte.
Asfaltimi i rrugës deri te prona e manastirit të kontestuar nga popullata e atjeshme, është dashur të ishte kalkuluar saktë më herët gjatë projektimit dhe masave të fizibilitetit, e jo të shtrohet deri aty, të bëhen shpenzime e më pas të pezullohen punimet .
Rruga Deçan –Plavë, është menduar të ndërtohet mbi bazat e interesit shtetëror për qarkullim të njerëzve dhe ekonomisë mes dy shteteve dhe si i tillë mbi interesin nacional të shtetit nuk mund të pengohet.
Qindra hektarë tokë malore dhe fushore Manastirit të Deçanit ia ka pronësuar shteti i Kosovës përmes legjislacionit të Kuvendit të Kosovës dhe ajo rrugë nuk është pengesë as për manastirin as për banorët e as për shtetin.
Rruga Deçan-Plavë i përket interesit nacional dhe nuk duhet ngatërruar me protesta të popullatës kundër pronave të manastirit.
Protestat dhe zemërimi i popullatës së atjeshme për kaq shumë pronë të manastirit duhet të zgjidhet mbi bazën e sistemit të trashëgimisë pronësore të popullatës së atjeshme që është thënë, se manastiri ka përvetësuar toka të shumë banorëve që ishin tjetërsuar në kohën e masave të dhunshme të Millosheviqit, prandaj trashëgimia e tyre, duhet të ridefinohet.
Ka qenë ligji i vitit 1997, kur me iniciativën e Milloshevitit, duke i parë zhvillimet në Kosovë, Kuvendi i Serbisë, kishte miratuar ligjin për rikthimin e pronave të kooperativave bujqësore te ish pronarët dhe në këtë rast pronarët u shpallën kryesisht serbët që pas luftës i shitën dhe manipuluan me tapitë e vjetra të mbretërisë serbe.
Si pasojë, tokat e Kosovës qendrore, veçmas Kacanik – Ferizaj -Lipjan – Prishtinë, u janë kthyer serbëve, dhe ata i kanë shitur te shqiptarët.
Sot, e tërë kjo tokë e bukës, e cila ishte hambari i Kosovës, është shndërruar në mure betoni si zonë ndërtimore pa asnjë kriter, për çka është dashur edhe autostrada për Shkup të zhvendosej thellë në arat e bukës, sepse ndërtimet e egra që janë bërë me leje komunale, nuk kanë mundur të ndryshohen për shkak të kostos së lartë mbuluese të Ministrisë së transportit publik.
Pra edhe Manastiri i Deçanit, nuk ka ardhur nga qielli as nga Marsi, por është krijuar këtu dhe si rrjedhojë duhet t’i nënshtrohet interesit nacional të shtetit për te mirat e Republikës së Kosovës. Safet Krivaca /Kosovarja/