Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se sot në Prishtinë ka arritur dërgesa e dytë me furnizime të ndihmave nga UNICEF, në përballje të vendit me koronavirusin.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media, ku u tha se dërgesa përfshin 1.5 ton pajisje profesionale mbrojtëse (8,900 mantele kirurgjike).
Në njoftim thuhhet se prej fillimit të përhapjes së virusit, UNICEF ka ofruar 36,200 dorëza, 33,600 maska kirurgjike, 2,700 maska me mbushje të dendur, 1000 kominoshe për mbrojtje, 17,860 mantele, 2,800 përparëse mbrojtëse si dhe 81 termometër infra red klinik si mbështetje për reagimin e Kosovës ndaj pandemisë. Dhjetë për qind e këtyre furnizimeve janë dorëzuar në Spitalin në Mitrovicën e Veriut dhe në atë në Graçanicë.
“Mbështetja e sotme është mundësuar si pjesë e programit të UNICEF-it për Vizitat në Shtëpi që financohet nga Qeveria e Luksemburgut.
Gjatë katër viteve të kaluara, ky program e ka mbështetur shtrirjen e sistemeve shëndetësore tek më shumë se 35,000 fëmijë dhe 15,000 gra shtatzëna. Si reagim ndaj COVID-19, Zyra e Luksemburgut në partneritet me UNICEF-in do të vazhdojë të ofrojë pajisje personale mbrojtëse shtesë për punonjësit shëndetësorë të vijës së parë. Dërgesat e tjera në kuadër të kësaj linje përfshijnë (40 koncentrues oksigjeni, etj), thuhet në njoftim.