fbpx

“Më shtrenjtë se në Amerikë”, qytetarët ankohen për çmimet e produkteve ushqimore

nga Revista Kosovarja

Çmimet e disa produkteve ushqimore në vend vazhdojnë të ngritën vazhdimisht.

Për këtë, ankohen qytetarët, të cilët shprehen se jeta e tyre po u rëndohet çdo ditë e më shumë me çmimet e larta, kjo për shkak të ardhurave të ulëta që ata kanë, ndërsa kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të marrin masa.

Në tregun e gjelbër në Prishtinë, qytetarët këtë javë kanë paguar deri 1 euro për kilogram në disa perime, derisa shprehen të shqetësuar për këtë dukuri. Njëjtë vlerësojnë edhe ekspertë të ekonomisë, të cilët thonë se Kosova vazhdon të përballet me inflacion të lartë.

Qytetari Xhemailadin Arifi, i cili ndodhet përkohësisht në Kosovë, thotë se çmimet janë të larta në krahasim me të ardhurat që marrin qytetarët në vendin tonë. E derisa krahason çmimet në vendin ku jeton, Amerikës me Kosovën, thotë se disa produkte atje janë më lirë.Arifi: Disa çmime të produkteve janë më shtrenjtë këtu se në Amerikë.

“Nuk jetoj këtu, por mirë është, për mua po, por për këta që jetojnë këtu është shumë vështirë…Jetoj në Amerikë…disa çmime të produkteve janë më shtrenjtë këtu se atje…me standardin mos vet hiç, nuk folët me 100 euro pension”, thotë Arifi.

Edhe një qytetare tjetër, Drita Kazazi ankohet për çmimet e larta, derisa thotë se me një pension 100 euro mezi arrijnë t’ia dalin.Kazazi: Këto çmime nuk po mundemi t’i përballojmë me pension.

“Këto çmime nuk po mundemi t’i përballojmë me pension… Më të shtrenjta po janë produktet kryesore, specat, domate, nuk po zbresin çmimet hiq…Janë obligative këto…Edhe më shumë koha e tyre po shtrenjtohen”, thotë Kazazi.

Poashtu, edhe qytetari tjetër i cili mundohet t’ia dalë me një pension, Skender Jashari, thotë se çmimet janë të larta. Ndërsa, shton se po presin t’u dalë pensioni që të mund të furnizohen me perime, pasi siç thotë ai, tashmë është edhe koha e turshive.

Jashari: Të shikojmë pasi ta marrim pensionin nëse mund të blejmë diçkaVideo“Vështirë është për pensionistë, jashtëzakonisht vështirë, pensionet e vogla, çmimet janë të larta, s’kem çfarë të bëjmë…Çdo artikull që është në treg nevojitet, por nuk po ka mjete të blejmë…Por, ta shikojmë pasi ta marrim pensionin nëse mund të blejmë diçka”, thotë Jashari.

Ndërkaq, njohës të ekonomisë derisa kërkojnë nga institucionet të sigurojnë mbrojtje sociale edhe në aspektin e ushqimit, të cilat janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve, thonë se gjatë këtyre tre viteve, kjo dukuri ka marrë përmasa alarmante. Profesori Muhamet Sadiku thotë se inflacioni i paraqitur në Kosovë ka karakter global.

“Inflacioni i paraqitur në Kosovë ka karakter gjithnjë global, prandaj është e kuptueshme se Kosova nuk ka muskuj që të luftojë një fenomen botëror, por duhet në mënyrë sistematike me politika ekonomike, të adresojë problemin e jetës sociale tejet të brishtë në Kosovë, sidomos gjatë kësaj periudhe kemi një cenueshmeri të madhe të shtresave me nivel të ulët të të ardhurave, të pensionisteve, të familjeve në asistencë sociale dhe të papunëve. Prandaj, jeta në Kosovë edhe ashtu ka qenë e ç ‘rregulluar dhe e shtrenjtë, por gjatë këtyre tre viteve vërtetë kjo ka marrë përmasa alarmante, sidomos konsumi i produkteve ushqimore, konsumi i produkteve të higjienës, shpenzimet e shkollimit, e të ndryshme, kanë bërë që jeta e kosovareve në këto vitet e fundit të tregojë një përkeqësim të madh. Qeveria ka bërë përpjekje, sidomos në sistemin e disa subvencioneve për të lehtësuar peshën e goditjes së inflacionit, por duhet pranuar se nuk jetohet vetëm nga energjia elektrike, por kërkohet që të sigurohet mbrojtje sociale edhe në aspektin e ushqimit, të cilat janë të rëndësishme për jetën e qytetareve”, thotë Sadiku.

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Sejdi Rexhepi thotë se shteti është dashtë të bëjë më shumë në këtë drejtim.

Rexhepi: Një pjesë e madhe e qytetarëve mezi të sigurojnë ekzistencënVideo“Kemi një trend fatkeqësisht të rritjes së vazhdueshme, në dukje të parë 2 apo 3 për qind që lajmërohet nga ASK, që nuk është një rritje e madhe, por që në realitet është rritje substanciale në produktet elementare, varësisht nga sezona rriten çmimet e produkteve në mënyrë të konsiderueshme, dhe kjo bënë që xhepi i qytetarit të rendohet shumë. Kjo ka bërë që një pjesë e madhe e qytetarëve mezi të sigurojnë ekzistencën…Ekziston një lloj koordinimi I çmimeve dhe shteti në këtë rast ka mundur më shumë që relativisht është vështirë që të luaj rolin e vet në kuptimin e kontrollit të këtyre mundësive…Shohim çdo ditë që inspektorati nuk e kryen punën e vet, kur shikojmë çmimet nëpër makete, është i vendosur çmimi me zbritje, në ndërkohë që produkti i vendosur te çmimi ka një çmim krejt tjetër”, thotë Rexhepi.

Në anën tjetër, shitësit Ismet Baliu ankohet për rënien e blerësve. Baliu thotë se çdo vit e më pak po kanë punë.

“Në ora 07:00 vijë këtu deri në ora 19:00 mbrëmje… Nuk ja vlen hiq, por nuk po kemi ka të ja mbajmë tjetër kund, çfarë të del, le të del. Ka rënë shumë numri (i blerësve), çdo vit e më poshtë po bie puna, s’ka njerëz, janë shpërndarë në gjitha anët, më shumë ka shitës se blerës”, thotë Baliu.

Kujtojmë se edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,2% në korrik të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Inflacioni mujor ishte 0,3% në korrik 2024./kp/


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]