Dukesha e Sussex, Meghan Markle, ka rrëfyer se ka pësuar një abort në muajin korrik, në një artikull ku thotë se ka ndjerë “një dhimbje gati të padurueshme”.
“E dija, sapo solla në jetë fëmijën e parë, që do ta kisha humbur të dytin”- thotë Meghan në artikullin që ka shkruar për New York Times, me titullin: “Humbjet që ndajmë”.
Meghan dhe Prince Harry u bënë prindër për herë të parë kur erdhi në jetë djali i tyre Archie, në 6 maj 2019.
Dukesha në shkrimin e saj thotë që në vitin 2020 të gjithë ne kemi pësuar shumë humbje dhe dhimbje. Markle tregon se një mëngjes korriku këtë vit ndjeu një dhimbje të fortë dhe disa orë më vonë, nga një shtrat spitali, pa bashkëshortin e saj me zemër të thyer që përpiqej ta ngushëllonte.
39-vjeçarja thotë se po e ndan eksperiencën e saj, në mënyrë që të nxisi njerëzit që të pyesin të tjerët: “A jeni mirë?”, të paktën gjatë festës së “Thanksgiving”. Duka dhe Dukesha e Sussex hoqën dorë nga detyrat e tyre mbretërore në Britani, edhe pse vazhdojnë të jenë pjestarë të monarkisë, ndërkohë që po jetojnë në Kaliforni, duke qëndruar larg mediave.
“Të humbësh një fëmijë është një dhimbje gati e papërballueshme, e provuar nga shumë, por e folur nga pak”- shkruan Meghan dhe vazhdon: “Në dhimbjen e humbjes tonë, unë dhe bashkëshorti im zbuluam se në një dhomë me 100 gra, 10 nga 20 prej tyre kishin shtatzëni jo të suksesshme. Sërish, edhe pse ndodh kaq shpesh, biseda për të mbetet tabu, e rethuar nga një turp i pashpjegueshëm dhe pritet që dhimbja të kalohet në vetmi e në heshtje. Disa e kanë ndarë historinë e tyre me shumë guxim, kanë hapur dyert, duke ditur që kur dikush rrëfen të vërtetën, nxit të gjithë të bëjnë të njejtën gjë.”