Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në ditën Ndërkombëtare të Infermierëve ia ka kushtuar disa fjalë nënës së tij, që tash e 45 vjet është në shërbim të qytetarëve të vendit si infermiere.
Krasniqi përmes një shkrimi në “Facebook” ka falënderuar të gjithë infermierët, teksa thotë se Qeveria e Kosovës e ka obligim që të angazhohet për krijimin e kushteve sa më dinjitoze për ta.
“Natyrisht, krahas këtij falënderimi, është obligim i yni, e, posaçërisht i Qeverisë, që të angazhohet për krijimin e kushteve sa më dinjitoze për infermierët tanë. Kosova nuk ka infermierë për shtetet tjera. Ato dhe ata na duhen në Kosovë, që vullnetin dhe profesionalizimin e tyre ta dhurojnë tek njerëzit tanë. Nuk ndjehet askush më keq sesa infermierët kur nuk mund t’i ofrojnë një shërbim një pacienti në mungesë të pajisjeve ose ilaçeve – siç, fatkeqësisht, po ndodh akoma në Kosovë”, shkroi Krasniqi tutje.
Shkrimi i plotë:
Nëna ime Edibja, tash e 45 vjet është në shërbim të qytetarëve të vendit si infermiere. Një kontribut i gjatë dhe jo pak i lodhshëm, por që unë e di se po të kishte mundësi – ajo do ta bënte përsëri nga dita e parë.
Dhe, këtë, për dy arsye: E para, sepse ky është profesioni i infermierit: një jetë në shërbim të tjerëve – posaçërisht atyre që kanë më shumë nevojë.
Shumë punë, sakrificë e mund për ta bërë tjetrin të ndjehet më mirë. Dhe, e dyta, sepse kështu janë nënat tona shqiptare. Plot pasion, zemër dhe empati.
Prandaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve, dua që të uroj e falënderoj jo vetëm nënën time, por të gjithë infermierët e vendit tonë, vijën e parë të kujdesit shëndetësor, të cilët japin shpirtin për të na mbajtur të sigurt dhe të shëndetshëm.
Përkushtimi, dhembshuria dhe profesionalizmi juaj bëjnë një ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën tonë si individë, në familjet tona dhe në shtetin tonë. Prandaj, faleminderit për gjithçka që jeni dhe gjithçka që bëni.
Natyrisht, krahas këtij falënderimi, është obligim i yni, e, posaçërisht i Qeverisë, që të angazhohet për krijimin e kushteve sa më dinjitoze për infermierët tanë. Kosova nuk ka infermierë për shtetet tjera. Ato dhe ata na duhen në Kosovë, që vullnetin dhe profesionalizimin e tyre ta dhurojnë tek njerëzit tanë. Nuk ndjehet askush më keq sesa infermierët kur nuk mund t’i ofrojnë një shërbim një pacienti në mungesë të pajisjeve ose ilaçeve – siç, fatkeqësisht, po ndodh akoma në Kosovë.