fbpx

Minatorët më në fund i marrin pagat, thonë se nuk u respektua marrëveshja

nga Revista Kosovarja

Gjatë muajit tetor, minatorët e Trepçës për dhjetë ditë me radhë janë futur në grevë, me kërkesat për kushte me të mira, e marrje të pagës deri me datën 10 të çdo muaji. E pas arritjes së marrëveshjes me menaxhmentin, ata e ndërprenë grevën, me premtimin se kërkesat e tyre do të realizohen.

Megjithëse pjesë e marrëveshjes ishte marrja e pagës deri me datën 10, një gjë e tillë nuk u respektua, pasi që minatorët nuk i morën pagat e këtij muaji, deri me datë 27 nëntor.

Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Ibrahim Jonuzi thotë për Indeksonline se marrëveshja e arritur nuk po respektohet dhe se pagat po vazhdojnë të vonohen.

“Pagat janë vonuar përsëri. Nuk po respektohet marrëveshja. Minatorët këtë muaj nuk i morën pagat para datës 10 siç ka qenë e paraparë me marrëveshjen e arritur për ndërprerje të grevës, por i kanë marrë me datë 27 nëntor. Minatorët janë aty dhe ne do të kërkojmë të drejtat tona, pjesën tonë. Do t’i mbajmë përgjegjës ata që kanë premtu. Do ta mbajmë përgjegjës dhe menaxhmentin, që nuk menaxhojnë mirë dhe na bijnë në pozicione shumë të vështira ekonomike. Do t’i mbajmë të gjithë përgjegjës”, tha Jonuzi.

Ai madje thotë se nëse marrëveshja vazhdon të mos respektohet, atëherë minatorët do t’i përdorin të gjitha mjetet ligjore, duke mos përjashtuar grevat dhe protestat.

“Ne si sindikatë do të përdorim të gjitha mjetet ligjore . Do të protestojmë, do të grevojmë. Do të përdorim çdo mjet demokratik që na jep ligji. Ne jemi ende të suspenduar, nuk e kanë mbajtur premtimin dhe për suspendimin tonë. Shpresojmë që në fillim të vitit 2024, do të përmbushen kërkesat e minatorëve”, tha ai.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]