Të gjithë e njohin Mirdita Thaçin nga “Mirifrommybaguette”, sepse ajo është mjeshtre e tortave me shije dhe pamje fantastike.
Mirdita, apo siç e thërrasin të gjithë, Miri, është e jashtëzakonshme në çdo video që poston në faqen e saj shumë të ndjekur në Instagram, ku pos recetave speciale, sjell edhe shumë atmosferë, ëmbëlsi dhe mbi të gjitha pozitivitet. E cilësuar si femër e zonja, ajo as gjatë vitit pandemik nuk është ndalur asnjëherë. Si ishte 2020-shi për Mirdita Thaçin, zonjën e tortave, e mësoni këtu.
Mirdita, si ishte viti 2020 për ty?
Ky ishte një vit i vështirë për të gjithë. Unë kam punuar, por gjithsesi ishte vit ndryshe për shkak të pandemisë, e cila ka sjell telashe kudo dhe në çdo segment të jetës.
Cila është ngjarja më e bukur e këtij viti?
E, ngjarja më e bukur për ketë vit ishte kur gazeta e famshme zvicerane “20minuten” ka shkruar papritmas për mua, e kjo ndodhi pasi publikova një video me tortën e pavarësisë së Zvicres me 1 gusht. Tortës ishte me flamurin Zvicrën.
Ke diçka qe do të doje ta harroje nga 2020-shi?
Po! Do të doja ta harroja Covid 19 dhe pandeminë, sepse bashkë me të do të shlyheshin kujtimet e këqija.
Si ishte në aspektin profesional, cili ishte suksesi më i madh?
Kontrata me një firmë zvicerane ka qenë suksesi më i madh për këtë vit në ikje. Ishte diçka tejet e kënaqshme për mua në aspektin profesional.
Të kemi parë në çdo ditë të këtij viti duke punuar. A lodhesh ndonjëherë?
Është normale që lodhem si çdo njeri, por çdo ditë e filloi me energji të re dhe nuk e mendoj lodhjen e djeshme e vazhdoj me shikim përpara. Kam shumë vullnet për punë dhe punoj qysh kur isha 14 vjeçe.
Cila është receta më e veçantë që e ke realizuar gjatë 2020?
Kam bërë shumë receta nga më të ndryshmet dhe fatmirësisht janë pëlqyer. Por, ka qenë interesant se si një firmë zvicerane, sa herë priste mysafirë nga Italia, më porosisnin pitalka me speca dhe gjizë. Bëjë çfarë të bësh, sërish recetat tradicionale janë numër një.
Cila është torta që e përgatit më me dëshirë?
Torta me shqiponjë, torta kuq e zi. Është gjithmonë më e mira dhe që e bëjë me zemër.
Ty vetë a të pëlqejnë ëmbëlsirat?
Më pëlqejnë, por mundohem tu shmangem, duke preferuar më shumë frutat.
Komplimenti më i madh që e ke marrë këto kohë?
Një ditë hyri një biznesmen në lokal dhe më tha: “Ta dish nuk është “Mirifrommybaguette” produkti i suksesshëm, por ti vet je suksesi, e veçantë dhe unike. Shpresojmë që të ruan Zoti Miri dhe te kemi dhe shumë vite”. U emocionova shumë.
Çka të bënë të lumtur dhe çka ta prish lumturinë?
Të lumtur më bëjnë personat që i kam afër vetës e që më japin dashuri çdo ditë. Nuk e lejoj askënd të ma prishë lumturinë.
Porosia dhe urimi yt për te gjithë dhe posaçërisht për femrat?
Ta respektojmë dhe mbështesim njëra tjetrën, ti harrojmë të gjitha mllefet, inatet dhe xhelozitë. Të jemi për njëra tjetrën e jo kundër njëra tjetrës. Vetëm së bashku do ti kalojmë të gjitha sfidat e do të korrim suksese. Shëndet e mbarësi për të gjitha femrat.
A ka mbetur diçka pa u thënë, nëse po thuaje…?
Gëzuar festat e fund vitit. Paqe e harmoni në çdo shtëpi.
Nderim Neziri