Top Channel ka sigurua videon e momenteve të fundit të Arjan Salës, i cili vrapon për t’u futur në magazinën që ishte përfshirë nga flakët. Siç shihet në videon e siguruar nga TCH, Arjani njoftohet në radio nga kolegët e tjerë që në magazinë ka rënë zjarr.
Ai menjëherë vrapon për në vendin e ngjarjes ku edhe ka evakuar mbi 20 punonjës që ishin të pranishëm në magazinë.
Pas kësaj, 32-vjeçari mori një bombolë dhe tentoi ta fikte zjarrin në vatrën e tij. Por flakët u përhapën me shpejtësi dhe ai nuk mundi të dilte. Siç shihet në pamje, Arjani është i vetmi që nuk kthehet më, pasi hyri brenda magazinës.
Arjan Sala tashmë i shpallur Dëshmor i Atdheut, humbi jetën si pasojë e flakëve dhe tymit në magazinë të mërkurën e shkuar, ndërsa trupi i tij u gjet vetëm tri ditë më vonë, për shkak se ishte e pamundur për zjarrfikësit që të ndërhyhej.
Gjatë një matjeje të temperaturës nga zjarrfikësit u raportua se kishte shkuar mbi 900 gradë.