Ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me shëndetin regjisori dhe aktori i famshëm italian, Francesco Nuti.
Artisti i njohur fiorentin mbylli sytë përgjithmonë në klinikën “Villa Verde” në Romë, ku ishte shtruar prej kohësh pasi vuante nga problemet e shumta neurologjike, të shkaktuara pas rënies prej shkallëve në 2006-n. Incident ky që i ndryshoi kryekëput jetën 68-vjeçarit.
I lindur në Prato më 17 maj 1955, Francesco Nuti bëri debutimin e tij si aktor amator kur ishte ende student, duke shkruar monologët e tij. Më pas ai nisi të luajë në kinema dhe projekte të tjera që i sollën një karrierë të gjatë artistike. Por nuk i mungoi as skenës së muzikës.
Edhe pse kishte kohë që ishte larguar nga skena, Francesco vijoi të mbetej një ndër figurat më të dashura të kinemasë dhe spektaklit italian.