fbpx

Nga lufta në paqe: Fotografitë që dëshmojnë ndryshimin e Kosovës

nga Revista Kosovarja

Sot (12 qershor) bëhen 25 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë. Mediat botërore, atëkohë, pasqyruan gëzimin e qytetarëve të Kosovës kur ata takonin për herë të parë ushtarët e misionit të KFOR-it. Disa vende që shihen në fotografitë e qershorit 1999 duken ngjashëm edhe sot, por shumica janë transformuar krejtësisht. Por, si duken sot ato lokacione?

Kaçanik

12 qershor 1999: Në këtë fotografi të shkrepur më 12 korrik në qytetin e Kaçanikut në jug të Kosovës, shihen ushtarët britanikë, derisa me helikopterë zbresin mbi një urë për të siguruar atë për arritjen e trupave të tjera të NATO-s. Qindra trupa britanike, përfshirë ata elitarë Gurkha, të njëjtën ditë vazhduan rrugën drejt Prishtinës.

6 qershor 2024: Vendi ku është shkrepur kjo fotografi nuk ka ndryshuar shumë as 25 vjet pas. Aty vërehet zgjerimi i rrugës dhe anësoret mbi urë. Disa shtëpi dhe objekte tjera janë ndërtuar ndër vite, si dhe një rrugë është asfaltuar.0

Prishtinë

13 qershor 1999: Një tank i rëndë i ushtrisë britanike i njohur me emërtimin “Challenger”, shihet në lagjen Veternik të Prishtinës, një ditë pas arritjes së trupave britanike në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Trupat e NATO-s nisën të marrin kontrollin e Prishtinës pas tërheqjes së trupave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë.

5 qershor 2024: Kjo rrugë ka ndryshuar krejtësisht. Përveçse është zgjeruar rruga, janë ndërtuar qindra objekte afariste dhe banimi. Megjithatë, rruga dhe lagjja janë lehtësisht të identifikueshme për shkak se disa objekte në sfond vazhdojnë të jenë ende aty.

Prishtinë

13 qershor 1999: Ushtarët britanikë derisa shikojnë një objekt banimi kolektiv duke u djegur në Prishtinë. Sipas përshkrimit të fotografisë nga Reuters, kjo fotografi është shkrepur pak kohë pasi trupat britanike ishin sulmuar me armë zjarri nga një pjesëtar i ushtrisë serbe.

5 qershor 2024: Përgjatë viteve shihet se në këtë lokacion është ndërtuar një objekt shkollor, si dhe janë vendosur rrethoja pas zgjerimit të rrugës. Shumë objekte të tjera për banim kolektiv janë ndërtuar në 15 vjetët e fundit.

Podujevë

18 qershor 1999: Forcat e KFOR-it arritën në Podujevë disa ditë më vonë se në qytetet tjera të Kosovës. Në këtë fotografi shihen fëmijët duke vrapuar pranë një tanku derisa përshëndesin ushtarët britanikë, të cilët sapo kishin arritur në qytet.

6 qershor 2024: Njëzetepesë vjet pas, në të njëjtin vend objekti komunal mbetet thuajse i njëjtë. Sheshi kryesor është zgjeruar dhe janë ndërtuar objekte të reja.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]