Edhe pak ditë Kosova hy në muajin e tretë të përballjes me pandeminë COVID-19.
Virusi i cili preku gjithë botën, nuk la anash as Kosovën. Kësisoj autoritetet shtetërore ndërmorën një sërë masash, në mënyrë që numri i të infektuarve të jetë sa më i vogël dhe fundi i këtij virusi të jetë sa më i lehtë dhe më i përballueshëm.
Këto masa në fillim ishin tejet rigoroze, ku ndër të tjerash qytetarëve u përcaktua orari i daljes (vetëm në rast nevoje) me nga një orë.
Por këto masa ndryshuan dhe sot hyjmë në fazën e tretë të lehtësimit të tyre.
Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë në detyrë u morën disa vendime, që kanë të bëjnë pikërisht me lehtësimin e masave.
Ndër to ishin hapja e kufijve, çerdheve, kafiterive dhe restoranteve, mbajtja e Testit të Arritshmërisë dhe Maturës e shumë të tjera.
Nga sot shumë biznese, por edhe vetë qytetarët kanë më shumë të drejtë funksionimi por gjithnjë duke mos harruar masat mbrojtëse që virusi të mbahet sa më larg dhe mundësia e përhapjes të jetë më e vogël./
Në mbledhjen e djeshme, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në respektim të rekomandimeve të IKSHP-së dhe ministrive të linjës, janë shfuqizuar si dhe janë plotësuar dhe ndryshuar këto vendime:
1. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr.01/16 i datës 26 mars 2020;
2. Plotësohet dhe ndryshohet pika 1.1. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/07 të datës 11 mars 2020 si në vijim:
2.1. Rihapja e kopshteve dhe çerdheve nga mosha 0 deri në 5 vite në Institucionet publike dhe private të nivelit parashkollor nga 1 qershori;
2.2. Organizimi i ambientit dhe përgatitjeve për testin e arritshmërisë me klasat e nënta (kthimi i klasave të nënta në shkollë bëhet prej datës 8 qershor deri më 19 qershor me qëllim të mbajtjes së testit të arritshmërisë me 23 qershor 2020);
2.3. Organizimi i ambientimit dhe përgatitjeve për testin e maturës me nxënësit e klasave të dymbëdhjeta (kthimi i klasave të dymbëdhjeta në shkollë bëhet nga 15 qershor deri më 30 qershor dhe mbajtja e testit të maturës më 4 korrik 2020);
2.4. Lejimi i orëve praktike/laboratorike për Institucionet e Arsimit të Lartë dhe organizimi i provimeve duke zbatuar në mënyrë strikte rekomandimet e IKSHPK-së.
3. Shfuqizohet pika IV. e Vendimit të Qeverisë Nr.02/35 të datës 27 mars 2020 me të cilin personat që hyjnë në Republikën e Kosovës obligohen të vet-izolohen për 14 ditë të ardhshme.
4. Shfuqizohet pika 4. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09 i datës 13 mars 2020 me të cilin janë mbyllur kufijtë tokësor në Republikën e Kosovës.
5. Hapen kufijtë tokësor në pikat kufitare si në vijim: Merdarë, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë.
6. Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve (Qendrave kryesore të mjekësisë familjare) në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër COVID19.
6.1. Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe posedojnë rezultatin negativ për testin Covid-19 RT PCR (jo më i vjetër se 4 ditë) nuk i nënshtrohen procedurave të vet-izolimit;
6.2. Ata që nuk kanë testin sipas pikës 6.1. detyrohen të vetë-izolohen për 7 ditë;
6.3. Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat kufitare;
6.4. Deri me datën 20 qershor do të bëhet rivlerësim i situatës epidemiologjike dhe me këtë do reflektohen masa të reja lidhur me pikat kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën e Kosovës.
7. Shfuqizohet pika 6. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09 i datës 13 mars 2020 me të cilin janë mbyllur kafeteritë, baret, restorantet dhe qendrat tregtare.
8. Shfuqizohet pika 9. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09 i datës 13 mars 2020 me të cilin janë reduktuar veprimet esenciale dhe stafi esencial për çdo institucion publik.
9. Shfuqizohet pika 1.3. e Vendimit të Qeverisë Nr. 02/17 i datës 27 mars 2020 lidhur me ushtrimin e veprimtarive të barnatoreve të licencuara të Republikës së Kosovës.
10. Të gjitha ministritë e linjës në bashkëpunim me palët e interesit obligohen t’i zbatojnë masat mbrojtëse sipas rekomandimeve të IKSHPK-së, OBSH-së dhe institucioneve kredibile ndërkombëtare.
11. Obligohen Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi, me theks të veçantë të ketë kontrolle rigoroze nga organet e rendit dhe Inspektoratet respektive.
12. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.
Në arsyetimin e miratimit të këtyre vendimeve, është theksuar se situata epidemiologjike në vend konsiderohet me rrezik të reduktuar, krahasuar me situatën paraprake, e konstatuar nga IKSHPK-ja dhe zyra e OBSH-së në Kosovë.
Gjithashtu, qeveria në këtë mbledhje ka miratuar Raportin vjetor të Statistikave Zyrtare për vitin 2019. Ky raport, përveç informatave mbi zhvillimin dhe të arriturat e përgjithshme, matjes dhe fuqizimit të kornizës vlerësuese dhe monitoruese të performancës, mbulon edhe numrin e publikimeve, titujt e publikimeve dhe frekuencat e publikimeve në nivel të ASK-së, si dhe fushave sektoriale që janë realizuar gjatë vitit 2019, krahasuar me vitin paraprak.