Ngjarjet e fundit në veriun e Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit për targa nga Qeveria e Kosovës kanë pasur një jehonë edhe në mediat e njohura ndërkombëtare.
Media gjermane Bild e konsideron serioz kërcënimin e Serbisë për Kosovën e cila i ka dhënë një ultimatum 24-orësh NATO-s.
Në faqen e parë të Bild shkruhet: “Serbia e kërcënon Kosovën me luftë, ultimatum 24-orësh për NATO-n”.
Bild shkruan se problem i reciprocitetit për targa mund të shndërrohet në një konflikt të armatosur mes aleatëve të Rusisë siç është Serbia dhe vendit të mbrojtur nga NATO, që i referohet Kosovës.
Media tjetër prestigjioze ndërkombëtare Financial Times, ka raportuar se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë në kufi kanë eskaluar.
“Përshkallëzohen tensionet në kufirin Kosovë-Serbi”, ka shkruar FT.
Media britanike raporton se tensionet u përshkallëzuan përgjatë kufirit Kosovë-Serbi në fundjavë pasi serbët i vunë flakën një objekti për regjistrimin e automjeteve dhe hodhën granata në një tjetër objekt qeveritar, në shenjë proteste kundër ndalimit të hyrjes së makinave me targa serbe në Kosovë.
“Tension në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës” është titulli i shkrimit të medias spanjolle elPeriodico
Media e njohur spanjolle shkruan se Serbia ka dërguar automjetet e blinduara pranë zonës kufitare.