O Zot! Në këtë ditë më mbulo mua me mëshirën tënde dhe më furnizo me sukses dhe mbrojtje përball mëkateve dhe më pastro zemrën time nga shpifjet dhe akuzat më mëdha! O Zoti që je i mëshirshëm për ata që besojnë!
Në lutjen e ditës së 29-të të muajit të bekuar të Ramazanit lexojmë:
“O Zot! Në këtë ditë më mbulo mua me mëshirën tënde dhe më furnizo me sukses dhe mbrojtje përball mëkateve dhe më pastro zemrën time nga shpifjet dhe akuzat më mëdha! O Zoti që je i mëshirshëm për ata që besojnë!”
Tani ndodhemi në ditën e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit. Një muaj ky që është i njohur si muaji i mëshirës hyjnore. Një muaj ky që sipas thënieve të Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s., njerëzit në këtë muaj nderohen dhe respektohen nga ana e Zotit të madhëruar, frymëmarrjet e tyre në këtë muaj janë si lartësimi i Zotit me tespihe. Gjumi i tyre është adhurim, veprat e tyre janë të pranueshme pranë Fronit Hyjnor dhe atyre në këtë muaj u pranohen lutjet dhe duatë. Në këtë muaj, hapen dyert e mëshirës hyjnore për robërit e Zotit dhe atyre që pendohen u jepet lajmi për faljen e mëkateve dhe gabimeve të tyre.
Mëshira e gjerë e Zotit ashtu si shiu që zbret nga qielli, përfshinë të gjitha krijesat e Zotit. Nën hijen e kësaj mëshire hyjnore, të gjithë robërit e Zotit përfitojnë nga mirësitë dhe begatitë e shumta dhe të llojllojshme hyjnore. Zoti i madhëruar mëshiron dhe fal besimtarin dhe jobesimtarin, atë që lutet dhe atë që nuk lutet. Gjithashtu, Zoti i madhëruar nuk kursen mëshirën hyjnore dhe mirësitë e Tij as për ata të cilët përgjatë gjithë jetës së tyre nuk e kanë njohur Zotin. Ai është Zoti i cili nuk privon asnjë njeri që lutet dhe i jep mëshirë dhe falje në masë të duhur edhe atyre që nuk luten. Në lidhje me këtë çështje, Imam Xhafer Sadik (a.s.) ka thënë: “Gjerësia dhe madhësia e mëshirës të Zotit është e pafund”. Mirëpo niveli i potencialit të njerëzve për të përfituar këtë mëshirë, nuk është i njëjtë. Disa kanë potencial më pak dhe disa kanë potencial më shumë. Ata të cilët kanë potencial më të madh për të përfituar nga kjo mëshirë, janë robër të mirë dhe të devotshëm dhe Zoti i madhëruar ka një lloj të mëshirës së veçantë për ata. Kjo është për arsye se në bazë të besimit dhe veprës së mirë, ata gjejnë këtë meritë që të përfitojnë nga mëshira, falja dhe mirësia e veçantë hyjnore nga e cila nuk mund të përfitojnë ata të cilët janë të ndotur me mëkate dhe vepra të këqija. Prandaj në këtë ditë lutemi pranë Fronit Hyjnor duke thënë: o Zot! Mëshira jote është e gjerë, prandaj na mbulo të gjithë qenien tonë me mëshirën tënde dhe na bëjë neve që të zhytemi në mirësitë dhe begatitë hyjnor!
Suksesi dhe mundësia është një prej çështjeve që e presim vazhdimisht në çdo veprim që kryejmë dhe gjithnjë e kërkojmë atë nga Zoti i madhëruar. Imam Aliu (a.s.) në lidhje me suksesin hyjnor, thotë: “O robërit e Zotit! Lutuni dhe kërkoni besim të sigurt nga Zoti i madhëruar, sepse besimi i sigurt qëndron në krye të fesë dhe tregoni dëshirë dhe vëmendje për suksesin hyjnor në rrugën drejt Zotit, sepse suksesi hyjnor do të jetë një bazë dhe rrënjë e fortë dhe e palëkundur”.
Burimi i suksesit është pikërisht nënshtrimi para urdhrave të Zotit, adhurimi i Zotit dhe zbatimi i urdhëresave hyjnore dhe largimi nga veprat e ndaluara dhe nga mëkatet. Mirëpo pikërisht për këtë sukses në kryerjen e veprave obligative dhe detyrave fetare dhe në largimin nga veprat e ndaluara, duhet të kërkojmë ndihmë nga Zoti i madhëruar. Ashtu sikur që profeti Shuajb suksesin e tij e konsideron mëshirën dhe ndihmën e Zotit dhe në Kur’anin e shenjtë në ajetin 88 të sures Hud nëpërmjet gjuhës së këtij profeti, thuhet: “
وَمَا تَوْفِیقِی إِلَّا بِاللَّهِ عَلَیْهِ تَوَکَّلْتُ وَإِلَیْهِ أُنِیبُ
“Suksesi është vetëm nga ana e Zotit. Jam mbështetur vetëm te Ai dhe kthehem drejt Tij”. Prandaj në asnjë punë nuk mund të bazohemi në forcën dhe aftësinë tonë, por vetëm nga Zoti duhet kërkuar sukses për kryerjen e veprimeve të mira dhe për t’u larguar nga mëkati dhe veprat e këqija.
Sipas transmetimeve fetare, zemra e njeriut është privatësi e Zotit dhe gëzon pozitën më të pastër dhe më të lartësuar. Mirëpo vendi i parë që ndotet nga mëkati, gjithashtu është pikërisht zemra e njeriut. Kështu shumë herë në lutjet e ditëve të kaluara jemi lutur dhe kemi kërkuar nga Zoti i madhëruar që të na pastrojë zemrën tonë nga mëkatet dhe ndotjet e mëkateve. Në transmetime fetare thuhet se Zoti i madhëruar në një rast i është drejtuar Hazretit Musa a.s. duke i thënë: “Armiku më i përbetuar i krijesave të mia është ai që bënë shpifje dhe akuza ndaj meje”. Hazreti Musa a.s. i tha: “O Zoti im! Kush bënë shpifje dhe akuza ndaj teje?”. Zoti i tha: “Ai për të cilin kam përcaktuar disa çështje në të mirë të tij, por ai mendon se nëse nuk do të ishte kështu, do të ishte më mirë dhe nuk është i kënaqur me përcaktimin tim”.
Në të vërtetë sprovimi hyjnor nganjëherë është me mirësi dhe nganjëherë me vështirësi dhe me gjëra të hidhura. Mirëpo as ardhja e mirësive nuk duhet të bëhet shkak që njeriu të krenohet dhe të bëhet arrogant dhe as zbritja e vështirësive dhe të hidhurave nuk duhet të bëhet shkak që njeriu të humbë shpresën të mëshira e Zotit dhe të bëhet pesimist. Por, duke marrë parasysh faktin se njeriu kryesisht ka potencial të vogël, në të dy rastet harron qëllimin e sprovimit. Kur atij i vijnë të mirat dhe begatitë, mendon se ato janë për shkak të meritave dhe aftësive të tij. Mirëpo kur atij i zbresin vështirësitë dhe vuajtjet, atëherë zhgënjimi dhe pesimizmi i mbulojnë të gjithë qenien e tij dhe kështu humb shpresën në mëshirën e Zotit duke mos marrë parasysh fare faktin se të gjitha këto çështje janë kalimtare dhe vetëm për sprovimin e njeriut. Zoti i madhëruar në lidhje me njerëzit të cilët përball mirësive dhe sprovimeve të Zotit, nuk kanë potencial, në ajetet 15 dhe 16 të sures Fexhr në Kur’anin e shenjtë thotë: “Kur i japim një mirësi njeriut, ai kthen shpinën dhe me arrogancë largohet nga e vërteta, mirëpo kur atij i arrin pak shqetësim e vështirësi, vazhdimisht bënë lutje dhe tregohet i padurueshëm”.
Në fund lutemi pranë Zotit të madhëruar që mëshira e Tij e veçantë i mbulon robërit besimtarë, pranë atij Zoti që është pastrues dhe ruajtës i zemrave, dhe kërkojmë që të na bëjë neve të zhytemi në mëshirën e Tij dhe të na japë neve sukses të nënshtrohemi para urdhrave të Tij dhe të pastrohemi nga të gjitha mëkatet!