fbpx

Një vit nga vrasja e Auron Thaqit – Nëna e tij rrëfen dhimbjen dhe kërkon drejtësi

nga Revista Kosovarja

Është bërë një vit nga dita kur 26-vjeçari Auron Thaqi humbi jetën tragjikisht si pasojë e një therjeje me thikë në qytetin e Prizrenit. Ai vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Dyshohet se, pas sulmit, ai është hedhur nga një veturë në lëvizje.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit, Enes Ay dhe Hajrullah Brcani.

Enes Ay ndodhet në paraburgim për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, e cila ka rezultuar me vdekjen e Auronit.

Ndërsa Hajrullah Brcani po mbahet për veprat penale “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së të birit, nëna e Auronit, Esmarije Gashi, ndan me dhimbje detajet e asaj dite tragjike dhe jetës së tij:

“Ka qenë ditë e diel në ora 11:30 më ka shkrujt në Instagram një shok i djalit, sepse kanë pas bashkë me shku në pishinë. Kam mendu që djali Auroni m’ka thirrë, më ka shkrujt m’ka thonë më kanë lëshu komtë. Kur e kam hap telefonin m’ka thonë po mdoket e kanë vra Auronin … më ka lëshu krejt trupi.”, ka thënë ajo në një intervistë për IndeksOnline.

Esmarija thotë se në kohën kur ndodhi rasti ndodhej në Turqi, ndërsa Auroni jetonte në Kosovë, ku përpiqej të ndërtonte jetën e tij.

“Unë kam qenë jashtë vendit, në Turqi me punu. Djali ka nejt te halla, te tezja. Auroni ka ardh në Kosovë, punojke, kishe qef me jetu në Kosovë. Planet e tij kanë qenë me punu edhe pak në Kosovë me marrë lejen e kerrit edhe me ardh në Turqi.”

“E ka vrarë shoku i klasës Hajrullahu, kanë hangër e kanë pi në shtëpinë tonë. Arsyeja pse ka ndodh, nuk po tregojnë, por kinse po thojnë për një telefon dicka. Një orë para se me ndodh rasti kam folë me telefon, ka thënë se po e kërcënon Hajrullahu shoku i klasës së tij. E ka vra në kerr.”, shtoi ajo.

Me lot në sy dhe zërin që i dridhet, nëna e Auronit kërkon drejtësi.

“Unë pres që ata me marrë dënimin e merituar, mu vet më ka shkrujt Hajrullahu qysh ka ndodh krejt rasti. E kemi mytë Auronin, m’ka thanë.”

Për të, humbja e të birit është edhe më e rëndë për shkak të historisë tragjike që ndjek familjen:

“Më thojke mami po mërzitna për babin, se edhe babën e tij e kanë shkel me kerr, atë kohë Auroni ishte 6 vjec e gjysmë. Po e ka përmend që Hajrullahu e Mustafa po e kërcënojnë.”

Esmarije Gashi, një nënë që humbi të birin në mënyrën më të dhimbshme të mundshme, sot kërkon vetëm një gjë: drejtësi për Auronin.

Seanca për rastin e Auronit, mbahet të mërkuren e ardhshme në Gjykaten Themelore të Prizrenit në ora 13:30.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]