Numri i ri mbi artikull
Artikull i sponzorizuar

Nuk është i vetmi Zekeria Cana që harrohet!

nga Revista Kosovarja

Janar i këtij motmoti. Çuditërisht, janari është muaji në të cilin kanë vdekur njerëzit, personalitete të mëdha të kombit tonë, të historisë sonë.

Mbi artikull

Por, në këto raste, të shkon në mendje pyetja: Pse disa emra të njohur nuk përkujtohen fare? Madje, as në përvjetorët e tyre të vdekjes!

10 janar i këtij motmoti.
Përcjell portalet tona të kësaj dite. Asnjë fjalë për prof. Zekeria Canën në shenjë përkujtimi.

Në mbrëmje përcjell edhe ekranet televizive, lajmet… As ato – asnjë fjalë për profesorin e nderuar, burrin e madh të Kosovës.

Moneytizer Paragrafi 4

Virtytet e profesor Canës do të kujtohen dhe do të nderohen përherë nga qytetarët e Kosovës – thoshin pushtetarët në telegrame ngushëllimi ato ditë kur ai vdiq.

Por, nga ato ditë e sot, profesor Cana sikur u harrua… U harrua njeriu i cili në dy dekadat e fundit të shekullit XX qe bërë simbol i rezistencës ndaj dhunës, përndjekjeve, tmerreve dhe vrasjeve të shqiptarëve.

Me këtë çast, se ç’më kujtohet marsi i përvjetorit të parë të pasluftës i rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, që mbahej në Prekaz.

Dhe, derisa atje mbahej organizimi, takohem me profën në kafenenë “Bagrem”. Në sytë dhe fytyrën e tij lexohej qartë se ishte i pa disponuar, i zhgënjyer, i rraskapitur…

“I thyer jam sot, Gani Dili”, më drejtohet me fjalët e para, thuajse e kuptoi shqetësimin tim. “Sot, në përvjetorin e parë paslufte, e që me duart e mia e lëshova në dhe Ademin, unë atje mungoj”.

“Pse?”, e pyes.

“Nuk më kanë ftuar!”

Po këto fjalë m’i thotë edhe në natën e kremtimit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, teksa liderët dhe shumëkush cakërronte gotat në emër të Pavarësisë. U habita kur dëgjova fjalët e profesorit nëpërmjet telefonit se as në këtë solemnitet nuk e kishin ftuar…

Por, pavarësisht nga këto, emri i profesor Canës mbetët i përjetshëm në historinë e Kosovës, sepse edhe Ai e ka hisen e vet. Ai edhe në kushtet e regjimit serb krijoi e lartësoi dinjitetin e shqiptarit…

Andaj, a nuk është turp të mos kujtohet ky vigan i historisë shqiptare, ky patriot i madh që shkriu gjithçka për popullin e Kosovës?!

Ai, kush tjetër e meriton të përkujtohet?

S’ka nevojë të përmenden daljet e tij në ballë të demonstratave kundër regjimit serb, as në ballë të tubimeve për Pajtimin e Gjaqeve krah Anton Çettës, as në konferencat e shtypit krah Ibrahim Rugovës, e as për 39 burgosjet e tij…

Por, nuk është i vetmi Zekeria Cana që nuk përkujtohet! Edhe shumë të tjerë nuk i përkujtojmë, i lëmë në harresë…

Rrallë përmendet, për të mos thënë fare, akademik Fehmi Agani, shtylla qendrore e LDK-së një dekadë të tërë!

Pastaj, aktorët e mëdhenj: Abdurrahman Shala, Bekim Fehmiu, Shani Pallaska, Malo Gami, Ragip Loxha, Melihate Ajeti, Avdush Hasani, e shumë të tjerë…

Shkencëtarët: Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Idriz Ajeti…

Poetët: Esad Mekuli, Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Mirko Gashi…

“Babai i Revistave” – gazetari Ali Sutaj, Maksut Shehu…

Emra këta që kanë bërë histori, kanë lënë gjurmë në çdo segment të Kosovës e për Kosovën…

Harresa e këtyre emrave është vrasje e historisë, turp i kohës që s’falet nesër…  Gani Dili /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]