Fotografia e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, është bërë mollë sherri për luftë parlamentare ndërmjet LDK-së e PDK-së, shkruan “Kosovarja”.
Në vend se PDK-ja të ulet në Parlament dhe të merret me tema të mëdha, si kryeopozitë e Kuvendit, ajo është lëshuar pas fotos së Presidentit Thaçi! aaa
Se ka qenë e jashtëligjshme heqja e asaj fotoje, nuk ka koment, meqë dihet se ku qëndron e varur fotografia e presidentit.
Por, kanë shkuar qysh kanë shkuar gjërat me simbolet, himnin e fotografitë dhe tani këto më nuk janë tema të mëdha.
Sidoqoftë, populli i Kosovës ka votuar për një qeverisje ndryshe, nga ajo që ka ndodhur 20 vjet rresht.
Dhe, kjo fazë qeverisëse po e fillon një etapë të re, e që pritet të jetë kualitative për nga ekzekutimi kushtetues dhe ligjor.
Kështu, në kuadër të kësaj etape që po vjen, edhe opozita duhet të ndryshojë. Dhe, ndryshimi i parë është që ata, konkretisht PDK-ja, të mos ngarendin pas fotos prapa Vjosa Osmanit, por me strukturën tematike që duhet ekzekutuar nga qeveria.
Megjithatë, PDK-ja nuk llogaritet se po e sfidon qeverinë përmes fotos së Presidentit në Kuvend, por do e sfidojë duke u marrë me punën dhe lëshimet qeveritare.
Aq më shumë, kur çdo gjë e dinë ku e kanë lënë. Siç thotë populli: “E dinë ku i kanë lënë lugët!”.
Andaj, lufta parlamentare për foton e Presidentit, është shprehje e inateve reciproke ndërmjet LDK-së e PDK-së!
LDK-ja e motivuar për revanshizëm kundrejt PDK-së, ndërkaq e dyta e inatosur me humbjen e pushtetit!
Kështu, pra, të dy partitë duhet ta kuptojnë se çdo fazë qeverisëse është një tranzicion qeverisës, meqë gjithnjë pritet diçka më progresive të ndodhë.
Vendosja e një fotoje të madhe të Hashim Thaçit në Kuvend, pas shpinës së Vjosa Osmanit, si dhe heqja e fotos së Presidentit nga zonja e “inspirimit”, është një ping-pong i panevojshëm, e që mund të zgjatë bukur gjatë, duke quar deri aty sa PDK-ja të merr vendim për t’u larguar nga kuvendi, e LDK-ja e VV-ja për të qeverisur pa opozitën!
Prandaj, më së miri dhe më së lehti është të zbatohet ligji se ku parashihet vendosja e fotos së presidentit…
Vjosa, edhe nëse nuk e njeh Hashim Thaçin, ajo e njeh presidentin e vendit deshi a nuk deshi. Dhe, nëse kryekuvendarja nuk e zbaton ligjin, atëherë kush duhet ta zbatojë atë? Safet Krivaça /Kosovarja/