Të gjitha video batutat dhe pamjet që po lëshohen nëpër rrjete sociale, e kanë dikund pikën referente.
Nuk është gjithçka lojë, as send për humor.
Janë gjëra të realitetit që ndodhin nëpër shtëpitë tona, me një stil interpretimi më ndryshe.
Na ka munguar shtëpia qe 20 vite. Kemi shkuar shpeshherë edhe në mesnatë dhe kemi vënë kokën në jastëk, për t’u zgjuar përsëri herët në mëngjes për punët tona.
Tash jam duke e parë shtëpinë dhe duke e njohur atë më shumë. Jam duke i njohur më shumë edhe fëmijët. Edhe gruan, çuditërisht po e njoh më shumë. Po flas në vetën e parë meqë, nuk po dua të them, se njëjtë jemi bërë të gjithë.
Izolimi pandemik, po na bën të njihemi në shtëpi shumë më mirë. Gruan e njoh qe sa vite përmes pamjes dhe vetëm kaq!
Djemtë i njoh përmes shoqërisë. Kur mungojnë në shtëpi, i thërras shokët e tyre dhe kuptoj se ku gjenden.
Tani po e dimë secili ku jemi. Jemi të vetizoluar në shtëpinë tonë , për të mos thënë të burgosur në shtëpinë tonë.
Zhvillojmë madje edhe debate politike në këtë kohë pandemie.
Prej kur i fitoi zgjedhjet Albin Kurti, si për fat të keq erdhi edhe koronavirusi dhe mendova, se do mbesin në hije veprimet e tij politike Por, ndodhi e kundërta.
Kllap,Veliun nga detyra ministrore! Kllap, Avdullah Hotin dhe ta them të drejtën u bëra nervoz, çka po ndodh me këtë njeri, mendova në vete.
Një natë, tek shikonim të gjithë debat televiziv dhe unë me mendje të flas diçka, shtrova pyetjen: si mund të ndodhin shkarkime të kabinetit qeveritar në këtë kohë?
E para reagoi gruaja: Jo duhet me t’i lënë ata hajnat e tu për gjithë jetën…
Uehhh!
Kush janë hajnat e mi oj grua?- e pyes dhe i drejtohem: kur kam qenë unë në politikë allahile?
Ke qenë tërë jetën, ma kthen ajo! Boll ma plakushët…Le të shkojnë në shtëpi ata , le t’iu lëshojnë rend të rinjve, ndoshta hyjmë në punë dikush e bëhet më mirë…
Po ti ke votuar me mua gjithmonë oj gruaja ime. Çka paska ndodhur tash ? Me kë je?
Jo, nuk jam me ty më. Jam me Albinin…
Uehhh! – u habita dhe ia ktheva , bre, në zgjedhjet e fundit e pash që nuk erdhe të votosh me mua. Ishe e zënë me ndonjë mysafir a përse?
Jo valla , as e zënë , as me mysafirë, por vet isha dhe e votova – ma pikati ajo.
Djali derisa hante bukë në tavolinën e kuzhinës, ma bën të ditur se kanë ndryshuar gjërat me të madhe. Pas pak fjalëve edhe më drejtohet: Baboooo…nuk po këndohet më ajo kënga e Bajram Begut, jo…
Po ti, me kë je biri im? – e pyes.
Ja, këqyre, më thotë duke ma kthyer telefonin kah unë.
Opaaa… Albin Kurti për së gjëri e për së gjati me fotografi në ekranin e telefonit tij.
Po ju nuse me kë jeni?- u drejtohem edhe atyre , të cilat rrinin paksa në distancë nga njëra tjera, por muhabetin e kishin në kulm.
Hahahahahha! Valla po na vjen keq me të thënë , por edhe ne jemi me atë që e tha vjehrra jonë – ma kthehu nusja e madhe derisa u ngritë nga aty ku ishte dhe iu afrua kuzhinës.
U krye! Demek, paskam mbetur vetëm me atë që është jashtë, duke aluduar në djalin e dytë.
Kur pas një gjysmë ore ai më thërret në viber dhe fjalën e parë më pyet, – babë, si je?
Mirë bir jam, mirë , por pak nervoz – i përgjigjem.
Mos u bë nervoz, se kalon shpejt edhe ky grip, më thotë ai.
Jo,se kam për gripin, por për këtë virusin politik të LV-së.
Pse babi, ende je me ata hajnat a?
Uehhh! Edhe ti a?
Nuk paska mbetur më askush afër meje, as me mua – them me gjysmë zëri, të cilat fjalë m’i dëgjoi djali i vogël, sugari im, sikur që edhe e thërras.
Babë, unë jam me ty!- më tha duke lëvizur nga vendi ku ishte mbi laptopin e tij.
Oh, flm biri im… Eja te babi, ty të paskam më të mirin, ty të paskam djal timin…Dhe, ç’dreqin më çoi derisa e ledhatoja nëpër flokë, e pyeta: Ti me mua je, a po sugari im?
Po me ty jam babë. E tash a po m’i jep nja 50 euro se po më duhen? Safet Krivaca / Kosovarja /