fbpx

Pa parajmërim , qytetarët nga ky vit ngarkohen me tatimin e pronës bujqësore

nga Revista Kosovarja

Nga ky vit qytetarët janë të obliguar të paguajnë edhe tatimin në pronë për parcelat bujqësore, mirëpo ky obligim nuk vlen edhe për qytetarët e katër komunave në veri të vendit.

Nga Ministria e Financave kanë bërë të ditur se nga ky vit të gjithë pronarët e tokave, në gjithë territorin e Kosovës, do të paguajnë tatim për pronën bujqësorë, pavarësisht faktit se janë apo jo njësi parcele bujqësore të kultivuara.

Për këtë vendim të Ministrisë, kanë folur edhe disa kryetarë të komunave, të cilët nuk e kanë mirëpritur, ndërsa disa të tjerë, thonë se është në të mirën e komunës.

E qytetarët ende nuk kanë informacione për këtë vendim.

Udhëheqës i Divizionit për Çështje Ligjore të Tatimit në Pronë, Vehap Hashani ka dhënë detaje lidhur me këtë obligim tatimor.

“Në gusht të vitit 2023, Ligji Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme është ndryshuar dhe plotësuar përmes Ligjit Nr. 08/L-224, me ç’rast pronat bujqësore, përkatësisht parcelat (tokat) bujqësore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, tatimohen, pavarësisht faktit se janë apo jo njësi parcele bujqësore të kultivuara. Përjashtimisht, tatimi në pronë për asnjërën nga kategoritë e pronave nuk zbatohet në katër komunat veriore të Kosovës për arsye politike”, thotë Hashani.

Për më tepër, ai ka shtuar se këto njësi të parcelave i nënshtrohen edhe lirimit tatimor në vlerë deri në pesëdhjetë mijë (50,000) euro pra, personi fizik konkretisht fermeri.

“Rrjedhimisht me ndryshimet e reja ligjore, tokat bujqësore duke filluar nga viti tatimor 2024 tatimohen, megjithatë këto njësi të parcelave i nënshtrohen edhe lirimit tatimor në vlerë deri në pesëdhjetë mijë (50,000) euro, pra personi fizik, konkretisht fermeri, përcakton se cilën njësi bujqësore kërkon ta lirojë deri më 30 nëntor të vitit, para vitit tatimor dhe komuna e liron deri në lartësinë e vlerës së vlerësuar që ka toka bujqësore por jo më shumë se pesëdhjetë mijë (50,000) euro”, shton Hashani.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi është shprehur i shqetësuar lidhur me këtë vendim. Sipas tij, ky obligim po i ngarkon bujqit në masë të madhe, derisa ka treguar edhe çmimin për zona.

Latifi për KosovaPress, thotë se po kërkojnë me insistim nga Qeveria që sektorin e bujqësisë ta ketë me prioritet.

“Tatimi mbi pronën ose parcelat në bujqësi ka qenë e kahershme, mirëpo zbatimi i këtij vendimi fillon nga ky vit dhe natyrisht se e ngarkon fermerin, bujkun tonë, dhe kur jemi tek Komuna e Rahovecit, pasi numri i bujqve është shumë i madh. Shembull në komunën tonë për 1 hektar, ne e kemi të ndarë në tre zona, e para është 78 euro për hektar, e dyta 60 euro dhe e treta ka 48 euro për hektar. 78 euro për hektar natyrisht se është ngarkesë dhe do të përpiqemi të kultivojmë praktika pozitive që njëfarë mënyre ia mundësojnë që ta ndjen më të lehtë këtë barrë të re që ka bujku jonë, por në qoftë se kjo nuk shoqërohet me përkrahjen në forma tjera nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për bujqit tanë, atëherë natyrisht se e vështirëson. Buxheti i Ministrisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, nuk është se e bënë krenar bujkun e Republikës së Kosovës. Ne kemi kërkuar me insistim dhe po kërkojmë edhe tash për Qeverinë e Republikës së Kosovës me prioritet numër një duhet me qenë bujqësia, sepse zhvillimi intensiv i bujqësisë, përveç se ndikon në punësim ndikon edhe në bruto produktin vendor”, deklaron Latifi.

Se ky vendim po i rendon bujqit e thotë edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj. Ndonëse ky obligim nuk është mirëpritur nga kjo komunë, ai thotë se vendimet që vinë nga lartë duhet zbatuar.

“Gjitha vendimet që vinë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ato vendime që merren në Parlamentin e Kosovës ne jemi të obliguar t’i zbatojmë. Është e vërtetë që kohën e fundit tokat bujqësore nuk punohen shumë, ka me pas një ngarkesë më të madhe bujqit e Kosovës, por sidoqoftë vendimet që vinë nga lart ne duhet t’i zbatojmë. Është e vërtetë se rendohen, por sidoqoftë vendimet nga lartë ne duhet t’i zbatojmë, dëmtohen bujqit, por duhet të fillojmë të punojmë edhe tokën”, thotë Muharremaj.

Ndërkaq, informacione lidhur me këtë nuk pati kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, megjithatë, ai thotë se këto vendime krijojnë të hyra nga burimet vetanake dhe është e mirë për komunën.

“Sa i përket tatimeve, kjo ndërlidhet më shumë me tatimin në pronë dhe është një e hyrë nga burimet vetanake për Komunën e Prizrenit. Unë informacionin nuk e kam, mirëpo në qoftë se Ministria ka marrë një vendim të tillë atëherë natyrisht se komunat do ta zbatojnë, implementojnë, sepse krijon të hyra nga burimet vetanake”, thotë Totaj.

Lidhur me këtë informacione nuk kanë as qytetarët.

Qytetari Sadik Grajqevci derisa thotë se nuk ka informacione për këtë vendim, derisa shton se ky vendim nga ana Ministrisë së Financave nuk është i drejtë.

“Pse unë të paguaj për tokë timen shtetin, ai shteti duhet të më paguajë dhe jo unë”, thotë Grajqevci.

Edhe qytetarë të tjerë kanë thënë mbrapa kamerave se nuk janë të njoftuar lidhur me këtë njoftim.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]