Kryetari i Alencës Kosova e Re Behgjet Pacolli, e ka akuzuar Vetëvendosjen për situatën e krijuar në Kuvend.
Pacolli tha se partia fituese e zgjedhjeve po e trajton Kosovën siç e trajtojnë hijenat viktimën.
“Kosova po përballet me probleme serioze për shkak të mungesës së lidershipit, dhe për këtë po i vuajmë pasojat — pasoja që, për fat të keq, pritet të jenë edhe më të rënda”, tha Pacolli.
Ish-presidenti i Kosovës theksoi se kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk ka reflektuar aspak karshi situatës.
“Nuk kuptohet se si kandidatja nuk ka reflektuar pas gjithë këtyre refuzimeve të njëpasnjëshme. Kur një person refuzohet tetëmbëdhjetë herë për të njëjtin post, është e qartë se nuk është e dëshiruar – as nga opozita, ndoshta as nga një pjesë e vetë mazhorancës. Rënia e saj në këtë pikë tregon një mungesë vetëdijeje politike dhe etike. Kjo këmbëngulje e pakuptimtë, më shumë sesa ambicie, po shndërrohet në pengesë për funksionimin e shtetit”, shtoi ai.