Nën bindjen e deklarimeve të UNMIK-ut, që të ecet përpara drejtë së ardhmes dhe të mos merremi me të kaluarën e luftës, Kosova ka bërë lëshime të pariparueshme me mos regjistrimin e dëmeve të luftës.
Ka qenë formuar një komision qeveritar në Qeverinë e Përkohshme të Bajram Rexhepit që të fillohej me regjistrimin e dëmeve të luftës të vitit 1999, të cilat do të viheshin në një protokoll arkivimi dhe atëbotë ishte çdo ministri në qeveri që do të jepte nga një milion euro për t’u përmbyllur procesi i regjistrimit të dëmeve.
Kjo u la anash dhe nuk u realizua. Me gjasë flitej se UNMIK-u nuk e përkrahte këtë ide, por edhe ministritë nuk i ndanë mjetet dhe dëmet mbetën të paregjistruara.
Nëse do të regjistroheshin dëmet e luftës , sot në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, gjendja do të qëndronte shumë më ndryshe. Të paktën Vuçiq nuk do të deklarohej përballë shënimeve statistikore se nuk dimë çka ka ndodhur në Kosovë si dhe të vendoste kushte, që nëse Kosova donë ndihmën e Serbisë për të pagjeturit, Kosova duhet të hap arkivat e UÇK- së.
Në regjistrimin e dëmeve të luftës ishin planifikuar të futeshin të gjitha dëmet materiale në terren, shtëpi për shtëpi, dhe viktimat, duke i bashkëngjitur secilës viktimë deklaratën e dëshmitarëve për mënyrën e vrasjes në vendin e ngjarjes. Dëmet e luftës të shkaktuara në Kosovë nga Serbia, do të merrnin karakter trajtimi në procesin e sukcesionit në Klubin e Londrës dhe Parisit, kur të ndahej pasuria në mes Kosovës dhe Serbisë në procesin e vlerësimeve bankare kur Serbia kishte plaçkitur bankat e Kosovës. Proces tjetër do të ishte kur Kosova ta kërkonte dëmin e industrisë që kishte shkaktuar integrimi I dhunshëm i Serbisë ndaj ekonomisë kosovare në elektroekonimi , minierat me flotacion në Trepçë dhe në qasjet e magnezitit dhe hekurit në Kosovë që i ka shitur në Bullgari për 10 vite rresht.
Dëmet e luftës që ka shkaktuar Serbia në Kosovë, nga ana materiale llogariten në rreth 22 miliardë euro ,kostoja e të cilës është përllogaritur menjëherë pas luftës ku çmimet ishin shumë më të buta se këto që janë tani ,apo më mirë të thuhet aktualisht ato do të kishin tash përllogaritje prej rreth 33 miliardë eurosh nga kostoja e tregut krahasuar me dikur dhe tani.
Sot Vuçiq takohet me kryeministrin e Kosovës sikur që është takuar edhe me presidentin Hashim Thaçi dhe ai është në komoditet, që Kosova nuk i nxjerr mbi tavolinë bisedimesh shifrat e dëmeve të luftës të protokolluara arkivisht me kohë dhe të përllogaritura me koston e kohës nga vendi i ngjarjes.
Sot, Serbia është në komoditet që Kosova nuk ka akuzuar Serbinë për gjenocid dhe krime lufte më 1999, çka e bën shumë më të lehtë përballjen e Serbisë me faktet në letër.
21 vjet pas luftës në Kosovë, Serbia po manovron suksesshëm në tejkalimin e gjendjes së krimeve që ka bërë në Kosovë dhe për më shumë në shumë fusha të pranisë serbe në Kosovë edhe të shihet si viktimë.
Safet Krivaça /Kosovarja /