Në kohën kur nuk po mund të miratohet ligji për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe ai për tërheqjen e 10% nga trusti pensional, për pensionistët nuk po brengoset askush, shkruan “Kosovarja”.
Pensionistët janë lënë anash prej kohësh dhe shteti nuk e qan kokën për këtë shtresë qytetarësh, që e kanë mbajtur gjallë jetën ekonomike dhe fondin e shtetit, duke lënë përqindjen e të ardhurave.
“Kur duhej me na i marrë paratë nga rrogat, ishim më të mirët. E tash, askush më nuk brengosët për ne! Na kanë harruar që jemi gjallë! Por, ishalla, nuk na e zvogëlojnë edhe këtë pension që e kemi!”, më thotë pensionisti I. I., nga Prishtina, teksa pinim bashkë kafenë e mëngjesit dhe shton:
“Po flitet se donë me i zvogëlua pagat e sektorit publik, se u duket po marrin tepër! E, edhe neve, pensionistëve, munden me na i zvogëlua pensionit dhe vaj halli për ne!
Çka me bë me ato pak para që marrë nga pensioni?! Nuk po mund ta përthekoj assesi jetën. Me pensionin që marrë mezi po e paguaj rrymën, bërllokun dhe barërat”.
Pensionisti tjetër, I. G., nga Prishtina, thotë se vetë i merr thotë 175 euro, gruaja 90, si pension i pleqërisë.
E, sa e shtrenjtë është jeta në Kosovë! Kur del me ble diçka, të duket sikur të humbin paratë para syve…
E, shteti nuk e lodhë kryet për pensionistët. Por, fatkeqësisht, as pensionistët nuk e thonë fjalën e tyre në rrugë apo atje ku dëgjohet zëri i tyre.
“Duhet me u bë bashkë pensionistët dhe me protestua për gjendjen e mjerueshme që na ka kapluar të gjithëve.
Të gjitha qeveritë që kanë qenë në pushtet nuk janë brengosur edhe aq për pensionistët… Secila qeveri, por edhe deputetët, kanë marrë për vete sa kanë dashur, e kush e ka gajlen e pensionistëve?!
Andaj, i bëj apel qeverisë të mendojnë edhe për jetën tonë, të na i rrisin sado pak pensionet. Në të kundërtën, do të jemi të detyruar të dalim në rrugë!”, thotë ai.
Ai, po ashtu, thotë se të gjitha shtresat kanë rritje, pos pensionet dhe shton:
“Ky shtet si me qenë pa pensionistë, he burrë! Jemi shtresa më e përbuzur e shoqërisë kosovare”, thotë në fund I. G., nga Prishtina. S. Krivaça /Kosovarja/