Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka komentuar përzgjedhjen e masterplanit të kompleksit memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Rama ka bërë një krahasim me shumën e përzgjedhur për këtë projekt dhe me atë të “Arkitektit të kryeqytetit”, duke e vlerësuar degën e VV-së në Prishtinë si hipokrite.
“Jam tejet i lumtur për përzgjedhjen e masterplanit të kompleksit memorial “Adem Jashari”. Më në fund, Prekazi do të bëhet me një kompleks memorial siç duhet, për çka uroj familjen Jashari dhe gjithë qytetarët.
Për këtë masterplan, siç u raportua, dy kompani ndërkombëtare do të paguhen rreth tetë ( milionë euro, që është vlerë reale për një detyrë të nivelit të tillë profesional, dhe nëse ka një projekt ku nuk duhet kursyer para është ky kompleks.
E vetmja gjë shqetësuese në gjithë këtë punë është hipokrizia e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në veçanti Dega në Prishtinë, të cilët ankohen pandalur se shuma prej 12 milionë eurosh për “Arkitektin e kryeqytetit” për dhjetëra projekte është shumë e lartë.
Vetëm deri tani, “Arkitekti i kryeqytetit” ka përfunduar ose është në finalizim të rreth 35 projekteve, shumë prej tyre projekte të kompleksitetit të lartë arkitektonik dhe për këtë është paguar rreth katër (4) milionë euro. Një prej këtyre projekteve në finalizim është edhe sheshi “Adem Jashari” në kryeqytet”, shkruan Rama në Facebook./Indeksonline/