Numri i ri mbi artikull
Artikull i sponzorizuar

Përpjekja e 13, edhe sot seancë në Kuvendin e Kosovës

nga Revista Kosovarja

Sot do të bëhet përpjekja e 13’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca do të fillojë në orën 10:00. Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dhënë sinjale se do të vazhdohet me propozimin për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 56 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.

Në katër seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë.

Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni.

Partitë opozitare nuk e kanë përkrahur një propozim të tillë të Deharit, duke thënë se rregullat nuk mund të ndërrohen në mes të procesit.

Moneytizer Paragrafi 4

Aktualisht, vendi është në ngërç insitucional për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.

Kushtetuta nuk e përcakton ndonjë afat se brenda sa ditësh apo muajsh pas certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve, apo pas betimit të deputetëve duhet të konstituohet Kuvendi. Por, Rregullorja e re e Kuvendit e definon që “ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”. Por, pa konstituimin e Kuvendit nuk ka se si të nisë numërimi i ditëve për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Vetëm pasi të jetë zgjedhur Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit, Presidentja e mandaton kandidatin për Kryeministër në konsultim me partinë që e ka numrin më të madh të deputetëve, që në rastin e tanishëm është Lëvizja Vetëvendosje.

Mandatari, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, obligohet të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, apo së paku 61 vota.

Nëse Qeveria nuk miratohet në herën e parë, Presidentja brenda 10 ditësh emëron një kandidat tjetër sipas së njëjtës procedurë. Dhe, nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidentja i shpall Zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Kushtetuta e përcakton që Kuvendi shpërndahet, nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës nuk mund të formohet Qeveria.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]